Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, ka shprehur mbështetjen e tij për protestën e së dielës të mbajtur në Hagë, ku u kërkua drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen nga Gjykata Speciale.

Përmes një postimi në Facebook, Vengu tha se proceset gjyqësore duhet të jenë të drejta dhe të paanshme, duke theksuar rëndësinë e respektimit të sakrificës së luftëtarëve të UÇK-së.


“Drejtësi pra drejtësi, vetëm drejtësi, asgjë më shumë se sa drejtësi dhe asgjë tjetër përveç drejtësisë, për Kosovën dhe çlirimtarët e saj”, ka shkruar ai.

Protesta në Hagë është mbajtur në shenjë solidariteti me ish-udhëheqësit e UÇK-së që ndodhen në paraburgim, ndërsa kërkohet një proces i drejtë e transparent ndaj tyre.

Ish-ambasadori holandez në Kosovë, Robert Bosch, që kishte shërbyer në Kosovë në kohën kur u themelua Specialja, gjatë fjalimit të tij në protestë tha se atëbotë ishte udhëzuar nga Qeveria e tij të bënte presion që të themelohej kjo gjykatë.

Bosch u tha protestuesve se nuk i pëlqente kjo ide “sepse më dukej e pakuptimtë që serbët të mos gjykoheshin nga kjo gjykatë, por e bëra punën time”.

“Më kujtohet kur e takova Thaçin, ai ishte i shqetësuar. Por, i thash nuk ke pse të shqetësohet sepse gjykimi është i drejtë ti do të jesh i lirë për shkak të mungesës së provave”, u shpreh Bosch.