Një vetaksident trafiku me pasoja fatale ka ndodhur sot rreth orës 13:00 në segmentin e autostradës Mazgit–Prishtinë.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.


“Sot, rreth orës 13:00, në segmentin e autostradës Mazgit–Prishtinë, ka ndodhur një vetaksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident është përfshirë një mjet i rëndë – kamion, i cili është rrokullisur”, ka deklaruar Kelani.

Sipas tij, si pasojë e këtij vetaksidenti, drejtuesi i kamionit ka humbur jetën. “Vdekjen e drejtuesit të kamionit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, ka shtuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës.

Kelani bëri të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, ekipi mjekësor si dhe njësia e zjarrfikësve, të cilët janë marrë me trajtimin e rastit.

Në fund, Policia e Kosovës ka apeluar për respektimin e rregullave të trafikut dhe për kujdes të shtuar gjatë pjesëmarrjes në komunikacion.

“Policia e Kosovës vazhdon të apelojë për respektim të rregullave të trafikut dhe për kujdes të shtuar gjatë pjesëmarrjes në trafik”, ka përfunduar Kelani. /Telegrafi/