Vështirësi në qarkullim shkaku i borës në disa zona të Kosovës

Reshjet e borës gjatë natës së 3 tetorit kanë shkaktuar vështirësi në qarkullim në disa akse rrugore të Kosovës, raporton Telegrafi.
Ekipet e emergjencës dhe autoritetet kompetente kanë dalë në terren për të pastruar rrugët, mirëpo përveç borës, pengesë paraqesin edhe drunjtë e rrëzuar në disa segmente.

Në aksin rrugor Gjilan–Preshevë, kalimi është i vështirësuar, pasi drunjtë e rrëzuar po bllokojnë rrugën, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se vetëm veturat e vogla mund të qarkullojnë.
Probleme të ngjashme raportohen edhe në rrugën Pejë–Kullë, ku përveç borës ka edhe mjegull të dendur, duke kufizuar qarkullimin vetëm për automjetet e vogla.

Ndërkohë, në aksin Prishtinë–Mutivodë, rruga mbetet e kalueshme, por me vështirësi të mëdha.
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje shoferëve që të tregojnë kujdes të shtuar në komunikacion, të përshtatin shpejtësinë me kushtet atmosferike dhe të pajisen me goma dimërore. /Telegrafi/








































