LAJMI I FUNDIT:

Në kujtim të Dr. Rexhep Bojës: Vështirë është të shprehesh kur të vdes miku

Në kujtim të Dr. Rexhep Bojës: Vështirë është të shprehesh kur të vdes miku
Ilustrim

Para ca kohës, së bashku me Ju, dr. Boja, vizituam një shok tjetër të sëmurë në Spitalin Amerikan. Më vonë, bashkë më ish të sëmurin ju vizituam në të njëjtin spital, ngase ishit shtrirë aty, ku edhe ndërruat jetë. Nuk u trishtuam. Vdekjen e pranuam si besimtarë. Sepse, miku ynë i shtrenjtë, vdekja të gjen aty ku dhe kur e ka caktuar i Madhi Zot. Ti vdiqe për t’u bërë i pavdekshëm. U largove nga të gjithë ne, por prapa ke lënë vitet me veprat që i ke kryer me përgjegjësitë më të ndritshme. Me përgjegjësinë dhe ndërgjegjen intelektuale të veçantë, si ndaj besimtarëve, si ndaj të tjerëve, duke paralajmëruar dhe duke korrigjuar atje ku kishte nevojë se si kultivohej nderimi ndaj kombit dhe atdheut. Prandaj, miku im, u largove i bekuar. I bekuar si nga e kaluara, si nga e ardhmja, për rrethin familjar, të miqve dhe shokëve, si dhe për shoqërinë. Inshallah do të mëshiroheni edhe nga i Madhi Zot.

Ju kishit një mision dhe e përmbushet atë. Misioni Yt ishte zgjedhje, padyshim, falë vullnetit suprem, i cili pa dyshim vjen në shprehje në ligjet e fatit individual, në punët dhe veprimtaritë e tij, kurdo dhe kudo, edhe në të kuptuarit të realitetit objektiv.


Shtatëdhjetë e pesë vjetet e jetës tënde përthekojnë kohët që lidhen me sundimin nga dy shtete. Njërin që asnjëherë nuk u pajtove me te dhe e luftove, kurse tjetrin që u përpjeke tërë jetën për të, që është Kosova e dashur. Zoti e di sa jeni i gëzuar që edhe arkivoli juaj arriti të shohë rrezet e fundit të fronit të madh të bërjes së Kosovës shtet, pjesë e të cilit ishe edhe Ti.

Ne jemi në këtë botë për mbajtur një qëndrim qytetar dhe fetar. Ne jemi këtu për të pohuar përparimin, për të mirëpritur bërjen mirë të filozofisë politike e fetare; për të nderuar luftëtarët madhështorë dhe shërbëtorët e Atdheut, për të uruar përpjekjen fisnike të popullit tonë, të gjithë atyre që marshuan guximshëm përpara, duke bërë punë mbinjerëzore për të çimentuar lirinë njerëzore. Me një fjalë: jemi këtu për të lavdëruar paqen, këtë vullnet sublim universal. Ulemaja, si vazhdimësi e fjalës profetike në jetën e njerëzve, edhe këtu e kanë vendin. Paqja është virtyt hyjnor, siç është edhe virtyt i civilizimit, Por, ju kishit një fuqi të brendshme, të rrënjosur thellë, që ishte vetëdija në shërbim të Atdheut, andaj mendja jote ishte në shërbim të së vërtetës. Kishit një mëndje e ndritur dhe një zemër e madhe.

Në jetën tënde fetar e publike, nuk të frikësuan as kërcënimet, as persekutimet, as shpifjet, as egërsia e regjimit të kaluar. Ishe i palodhshëm dhe i palëkundur për të mirën e Atdheut dhe fesë. Në sa e sa raste e munde dhunën me buzëqeshjen tënde karakteristike, despotizmin e munde me sarkazmin tënd, pagabueshmërinë e njerëzve të pushtetshëm, me ironinë, kokëfortësinë e të tjerëve me këmbënguljen, injorancën e aq shumë njerëzve e munde me të vërtetën.

Por, në këtë fillim shekulli ndjeheshe me i qetë, përherë i buzëqeshur. Dukej si ndriçim agimi në sytë tu. Përherë ke çmuar të vërtetën, të drejtën, të mirën, të ndershmen dhe të dobishmen. Nuk të lëkunden fërfëllizat dhe erërat e reja, edhe të politikës edhe të fesë, sepse e njihje mirë burimin jo real të tyre, edhe pse, natyrisht, shpesh të zemëronin e të mërzisnin. Ishe dhe mbete erudit, njohës i traditës, popullor, por ishe edhe diplomat i shkëlqyer. Fatmirësisht, në këtë ecje nuk ishit vetëm, sepse njerëzit e mëdhenj shumë rrallë janë vetëm. Pra, as Ju nuk ishit vetëm. Kjo është madhështorja e jetës dhe veprës tënde, sepse pemët e mëdha duken edhe më të mëdha kur nuk i mbulon pylli. Kurani i ka mësuar njerëzit të jenë të arsyeshëm, se arsyetimi i mirë veprimin e bën të mirë; korrektësia e mendjes bëhet drejtësi e zemrës. Mbi këtë parim, ju e mbyllet të kaluarën dhe keni hapur horizonte të reja, drejtë së ardhmes në Bashkësinë Islame të Kosovës.

Me Ju filloi një cikël i ri në sendërtimin e BIK-8t. Ne e ndjenim se në këtë fillim shekulli, Kryesia e BIK-ut, si forcë drejtuese, e kryesuar nga Ju, do ta ketë parimin Islam mbi arsyen dhe traditën.

Andaj, ne e kuptonim se përpjekja për të jetësuar një udhëheqje, që Ju e zbatonit përmes mënyrës suaj të jetës, të punës të angazhimit, ishte një mënyrë për t’i nderuar dhe për t’i përjetësuar ato ideale që i kishit në jetë.

Kur ligjëronit mësimet fetare, kishit udhëzimet kuranore për të thirrur njerëzit me mençuri, me këshillime, dhe dialogonit në formën me të mirë. Kur flisnit arabishten kishit një standard të lartë që ua kishin lakmi edhe vetë arabët, e kjo mua më përkujtonte Konicën duke korrigjuar anglezet për anglishten. E, toni i qetë në diplomaci krijonte përshtypjen se ne kemi përvojë shekullore në këtë fushë. Ndaj, nuk ishte rastësi që ke kryer edhe një varg detyrash të tjera fetare e shtetërore.

Gjatë kohës sa ishte në krye të Bashkësisë Islame të Kosovës, ishe pjesëmarrës në mbi 150 konferenca, simpoziume e takime të niveleve ndërkombëtare ku keni dhënë një kontribut të çmuar. Pastaj ishit edhe kryetar i BIK-ut, anëtar i Rijasetit në Sarajevë në Federatën jugosllave, këshilltar i Ministrit të Shëndetësisë të Kosovës, koordinator zyrtar për aktivitetet bamirëse dhe njerëzore në shtetet arabe, anëtar në Këshillin e Lartë Botëror për xhamitë në Ligën e Botës Islame, anëtar në Këshillin Transitor kosovar të formuar nga OKB-ja, anëtar në Këshillin Shura për Euroazi etj.

Miku im i shtrenjtë,kujtimet, si për çastet e lumtura, si për vështirësitë nëpër të cilat kemi kaluar, nuk do të harrohen kurrë, sepse kanë lënë mbresa dhe kujtime që nuk shlyhen në jetën e të gjithë bashkëpunëtorëve që ke pasur në veprimtarinë tënde atdhetare dhe fetare. Të gjithë jemi krenarë që kemi pasur një person kaq të mirë për udhëheqës dhe një mik kaq të mrekullueshëm. Por, siç thotë një autor i pa njohur: “Ajo që lëviz nëpër ne është një heshtje, një pikëllim i qetë, një dëshirë për një ditë më shumë, një fjalë më shumë, një prekje më shumë. Ne mund të mos e kuptojmë pse u larguat nga jeta e kësaj dunjaje kaq shpejt, ose pse u larguat para se të ishim gati për të thënë lamtumirë, por pak nga pak, ne fillojmë të kujtojmë jo vetëm që keni vdekur, por që keni jetuar. Dhe se jeta juaj na dha kujtime shumë të bukura për mos t’i harruar”.

Unë ndjehem më mirë që të njoha, më mirë se të çmova, më mirë që të kam takuar dhe më mirë që kam bashkëpunuar me ty. Qofsh i mëshiruar nga Allahu në jetën tjetër, miku im. Zoti na bashkoftë në botën tjetër, ashtu siç ishim tok në punë, mendime dhe ideale në këtë botë kalimtare.

Në kuptimin tonë fetar, e dimë se Shpirti nuk vdes, ai jeton në “Berzah”, por do të shtoja se një shkëndi e tij jeton edhe në kujtimet e atyre që të donin.

Në trend

Më shumë
Deklaron mbi 58 mijë euro 'cash', zbulohet shuma me të cilën u pagua Anita Haradinaj si opinioniste në Big Brother VIP Kosova

Deklaron mbi 58 mijë euro 'cash', zbulohet shuma me të cilën u pagua Anita Haradinaj si opinioniste në Big Brother VIP Kosova

Magazina
Pasuria e majme e kreut të Prishtinës – banesa, rezidencë, veturë Tesla e koleksion pikturash milionëshe

Pasuria e majme e kreut të Prishtinës – banesa, rezidencë, veturë Tesla e koleksion pikturash milionëshe

Lajme
Sa kanë pasuri Osmani dhe Kurti? Dyshja deklaron pasurinë e tyre në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Sa kanë pasuri Osmani dhe Kurti? Dyshja deklaron pasurinë e tyre në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Lajme
Pasuria e Memli Krasniqit, ai posedon numër të madh të kriptovalutave

Pasuria e Memli Krasniqit, ai posedon numër të madh të kriptovalutave

Lajme
Tri shtëpi në Kosovë, një në Shqipëri dhe një vilë -  kjo është pasuria e Ramush Haradinajt

Tri shtëpi në Kosovë, një në Shqipëri dhe një vilë - kjo është pasuria e Ramush Haradinajt

Lajme
A e dini se për çfarë shërben gjysmërrethi në buzë të zonës së penalltisë? Këtu është rasti i vetëm në të cilin përdoret

A e dini se për çfarë shërben gjysmërrethi në buzë të zonës së penalltisë? Këtu është rasti i vetëm në të cilin përdoret

Ndërkombëtare
Kalo në kategori