Një në tre persona me diabet ka sëmundje të veshkave – ja pse kjo rrit ndjeshëm rrezikun për zemrën

Shkencëtarët kanë zbuluar përgjigjen ndaj një misteri shumëvjeçar se pse më shumë se gjysma e pacientëve me sëmundje kronike të veshkave përfundojnë duke vdekur nga probleme kardiovaskulare. Studiuesit nga University of Virginia zbulojnë se arsyeja është fakti që veshkat e sëmura prodhojnë një substancë që është toksike për zemrën.


1 në 3 pacientë me diabet ka sëmundje të veshkave

Studiuesit nga University of Virginia dhe nga spitali Mount Sinai thonë se ky zbulim mund t’u mundësojë mjekëve të identifikojnë më herët personat në rrezik dhe të zhvillojnë trajtime të reja që do të ndihmojnë në parandalimin dhe trajtimin e insuficiencës kardiake te këta pacientë. Studimi i tyre është publikuar në revistën shkencore Circulation.

– Sëmundjet e veshkave dhe të zemrës mund të zhvillohen në mënyrë të heshtur, prandaj shpesh zbulohen vetëm pasi dëmi tashmë ka ndodhur. Gjetjet tona mund të ndihmojnë në identifikimin më të hershëm të pacientëve në rrezik për insuficiencë kardiake, duke mundësuar trajtim më të hershëm dhe rezultate më të mira, shpjegon dr. Uta Erdbrügger, shkencëtare në Departamentin e Nefrologjisë në University of Virginia School of Medicine.

Sëmundja kronike e veshkave prek miliona njerëz në mbarë botën, dhe rreth 1 në 3 pacientë me diabet si dhe 1 në 5 persona me hipertension kanë sëmundje të veshkave. Lidhja midis sëmundjes kronike të veshkave dhe problemeve kardiovaskulare është e dokumentuar mirë, ndërsa ashpërsia e sëmundjeve kardiovaskulare lidhet ngushtë drejtpërdrejt me shkallën e dëmtimit të veshkave. Megjithatë, shkencëtarët kanë pasur vështirësi ta kuptojnë pse ndodh kjo, pjesërisht sepse faktorët e përbashkët të rrezikut, si obeziteti dhe hipertensioni, e “mjegullojnë pamjen” kur bëhet fjalë për përcaktimin e shkakut dhe pasojës, transmeton Telegrafi.

Veshkat e sëmura prodhojnë “vezikula ekstracelulare qarkulluese”

Deri më tani, shkencëtarët nuk kishin arritur të identifikonin një faktor rreziku specifik të lidhur drejtpërdrejt me veshkat që do të mund të shkaktonte toksicitet në zemër. Por studimi i ri identifikon fajtorin: grimca të quajtura “vezikula ekstracelulare qarkulluese”, të prodhuara nga veshkat e sëmura.

Vezikulat ekstracelulare prodhohen nga pothuajse të gjitha qelizat dhe shërbejnë si “mesazherë” biologjikë, duke transportuar proteina dhe materiale të tjera drejt qelizave të tjera. Megjithatë, vezikulat ekstracelulare të prodhuara nga veshkat e dëmtuara kronikisht mbartin ARN të vogla jokodifikuese (miRNA), të cilat rezultojnë toksike për zemrën, kanë konstatuar studiuesit.

Te minjtë laboratorikë, bllokimi i qarkullimit të këtyre vezikulave përmirësoi ndjeshëm funksionin e zemrës dhe lehtësoi insuficiencën kardiake. Shkencëtarët analizuan gjithashtu mostra të plazmës së gjakut të dhuruara nga pacientë me sëmundje kronike të veshkave dhe nga persona të shëndetshëm, duke konfirmuar praninë e vezikulave të dëmshme vetëm te pacientët me sëmundje kronike të veshkave.

Nevojiten biomarkerë të rinj dhe mundësi të reja trajtimi

– Mjekët gjithmonë janë pyetur se si organe si veshkat dhe zemra komunikojnë me njëra-tjetrën. Ne kemi treguar se vezikulat ekstracelulare nga veshkat mund të udhëtojnë drejt zemrës dhe të jenë toksike. Megjithatë, jemi vetëm në fillim të kuptimit të kësaj komunikimi, thekson dr. Erdbrügger.

Ajo shton se rezultatet sugjerojnë se shkencëtarët mund të zhvillojnë teste gjaku për të identifikuar pacientët me sëmundje kronike të veshkave që kanë rrezik të lartë për probleme serioze të zemrës. Gjithashtu, këto vezikula ekstracelulare mund të shënjestrohen për të trajtuar ose parandaluar efektet toksike në zemër.

– Shpresojmë të zhvillojmë biomarkerë të rinj dhe opsione të reja trajtimi për pacientët tanë me sëmundje të veshkave që janë në rrezik për sëmundje kardiake. Potencialisht, puna jonë do të përmirësojë mjekësinë precize për pacientët me sëmundje kronike të veshkave dhe insuficiencë kardiake, në mënyrë që çdo pacient të marrë trajtimin që i përshtatet më së miri, përfundon dr. Erdbrügger. /Telegrafi/