Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka folur sot para përfaqësuesve të strukturave të PDK-së, në 20 vjetorin e themelimit të partisë, për rrugëtimin e deritashëm të PDK-së.

Veseli ka thënë  se PDK është krenare si trashëgimtarja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila u soll denjësisht, transformoi veten dhe Kosovën, transmeton Telegrafi.

Ai tha se sot që PDK është lidere e opozitës dhe do të jetë gjithmonë përball sfidave për ta ruajtur dhe forcuar Republikën e Kosovës.

“Do të jemi opozitë e vërtetë kundër një kaste që veten e sheh mbi interesin e Kosovës dhe qytetareve tanë”, ka shkruar Veseli.

Fjalimi i plotë i Kadri Veselit: 

“Para 20 vjetësh, shume idealistë të lirisë, të prirë nga luftëtarë dhe intelektual të ardhur nga betejat e lavdishme, të cilëve ju bashkuan edhe shumë veprimtarë të sinqertë, nisën një tjetër projekt të madh për Kosovën – të cilin, më pas, historia do ta njohë si arritje të jashtëzakonshme.

Me histori të përpjekjeve të vështira dhe të dhimbshme, u bënë bashkë – që me të njëjtën atdhedashuri e përkushtim ta çojnë përpara kombin dhe vendin.

Sfidat e lirisë nuk ishin të lehta për Kosovën.

Sot, 20 vjet më pas, e themi me krenari se Partia Demokratike, trashëgimtarja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u soll denjësisht, transformoi veten dhe Kosovën.

Bota rrallë sheh një projekt të tillë suksesi!

Kur askush nuk priti, pasi iu nënshtruam proceseve demokratike, me dinjitet pranuam humbjet politike të brendshme, pas fitoreve në beteja luftarake me Serbinë.

Por, PDK nuk shkatërroi asgjë.

Ne gjetëm forcën e konsolidimit të brendshëm, morëm përgjegjësitë e mëdha për vendin në procesin e negocimit për të ardhmen e vendit tonë.

Qytetari e vlerësoi këtë, mirë dhe drejt.

Pas 8 vjetësh, Partisë Demokratike qytetarët ia besuan drejtimin e vendit.

Duke shënuar etapën e shtetësisë, shtetndërtimit dhe konsolidimit institucional, financiar dhe demokratik të Republikës së Kosovës.

Duke shënuar etapën e ndryshimeve rrënjësore ekonomike, sociale, infrastruktrore.

Duke e bërë Kosovën një dekadë shtet, të barabartë me vendet e rajonit.

Të gjitha këto të arritura mbajnë vulën e PDK-së.

Çfarë rrugëtimi i mrekullueshëm ishte ky, për ne, për qytetarët dhe për vendin tonë, në këto 20 vjet të Partisë Demokratike të Kosovës.

Por, gjatë rrugëtimit tonë, për fat të keq, ne nuk u shpëtuam edhe gabimeve.

Megjithatë, për dallim nga të tjerët, ne nuk heshtëm, vepruam.

Nisëm përmirësimin e tyre dhe vendosëm një standard të ri etik në politikën kosovare.

Për ta ndryshuar Kosovën, e nisëm ndryshimin nga vetja. Dhe, kjo qasje u përqafua nga të gjithë, nga baza jonë elektorale më së shumti.

Për këtë, jam shumë, shumë, krenar me ta dhe shumë mirënjohës!

Gjate këtyre javëve te fundit, ne bashkë, kemi punuar shumë për t’i fituar këto zgjedhje.

Me projektin për një Kosovë perëndimore, pa korrupsion dhe nepotizëm dhe të zhvilluar ekonomikisht.

I jam mirënjohës secilit prej jush, strukturave të palodhura dhe aktivistëve plot energji, për përkushtimin e treguar gjatë gjithë këtyre ditëve.

Ne bëmë një fushate konkrete, në sfidat që ka vërtet Kosova.

Ndërsa, oponentët tanë u morën veç me ne. Ata arritën të bashkohen kundër nesh dhe ta ndërtojnë kauzën kundër nesh.

Ne, tani jemi opozitë!

Do të jemi opozitë e vërtetë kundër një kaste që veten e sheh mbi interesin e Kosovës dhe qytetareve tanë.

Do të jemi opozitë në shërbim të Kosovës dhe vetëm të Kosovës.

Do të jemi veprues dhe të zëshëm për çdo gjë që nuk avancon të drejtën, interesin dhe shpresën për qytetarët tanë dhe për Kosovën.

Nuk do të lejojmë me asnjë çmim të dëmtohet stabiliteti i Kosovës.

Ne nuk do të lejojmë cenimin e mirëqenies dhe të drejtat e secilës kategori të shoqërisë sonë.

Ne nuk do të lejojmë dëmtimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe do t’i mbrojmë orientimet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian.

Për Kosovën, s’ka veri dhe jug, s’ka asociacion me kompetenca ekzekutive dhe s’ka cenim të territorit.

Çdo lëvizje nga këto parime, do ta kenë përgjigjen e drejtë dhe të vendosur nga ne.

Ka vetëm një Kosovë unike, të mirëqenë, stabile, të respektuar dhe të fortë!

Do të jemi kontribuues dhe në rresht të parë për interesin e qytetarëve dhe të vendit.

Ashtu siç do të jemi të pakompromis ndaj çdo devijimi dhe mashtrimi.

Asgjë nuk do të mbetet e heshtur. Askush nuk do të ketë privilegj e imunitet të sillet si Zot në Kosovë.

Të gjithë duhet të jenë të barabartë dhe të përgjegjshëm.

Ky vend ka të arritura, histori të lavdishme dhe ka të ardhme.

Partia Demokratike e Kosovës është këtu dhe do jetë gjithmonë, si adresa e Kosovës për liri, shtet, zhvillim dhe integrim.

Ne do të jemi opozitë që do ta duan qytetarët si adresën politike më të duhur për t’i ruajtur interesat e tyre dhe të shtetit tonë, për të tashmen dhe të ardhmen.

Ne nuk do të heqim dorë nga kauzat tona, për të cilat qytetarët na kanë besuar dhe na besojnë.

Ne nuk abuzojmë. Ne nuk nënshtrohemi. Ne nuk zmbrapsemi. Ne dimë të jemi vetëm të përgjegjshëm dhe të fortë për Kosovën!

Nuk do të ndalemi sidomos sot, kur ky 20-vjetor e gjen Partinë Demokratike në një rol të ri, si lidere opozitare, por gjithmonë në shërbim të kombit dhe shtetit.

Bashkë, do të ecim tutje, edhe më të fuqishëm!

Reformat do të vazhdojnë dhe ndryshimet e mëdha do të vijnë me PDK-në.

Ky 20-vjetor shënon fillimin e një epoke të re për Partinë Demokratike të Kosovës.

Një epoke me qasje të re, me ofertë të re, që i përgjigjen nevojave të Dekadës së Re.

Tani, të dashur kolegë, na pret një betejë e re.

Ju mund të mendoni se gabimet e tyre, janë suksesi ynë.

Ju mund të mendoni se dështimi i tyre, i ndalë ata.

Ju mund te mendoni se rruga do të jetë e shkurtër.

Por, unë ju them – të përgatitemi mirë dhe shumë.

Sepse, Kosova ka nevojë për ne. Kosova, më shumë se kurrë, ka nevojë të mbrohet nga mashtrimet dhe mashtruesit.

Nga ata që nuk e njohin vlerën dhe sakrificën dhe manipulojnë me vlerat – të cilat i ndërrojnë varësisht nga pozita që kanë.

Sado që ata të gabojnë dhe dështojnë, rreziku i madh për të gjithë është ecja prapa nga ajo që kemi arritur.

Ne nuk do të lejojmë kurrë që të gabojë dhe të dështojë Kosova.

Andaj, ju ftoj sot që ta merrni seriozisht këtë mesazh, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për një garë, por kemi të bëjmë me diçka më të thellë dhe më të rëndësishme për shtetin tonë.

Tani është edhe momenti i hapjes së madhe të Partisë Demokratike.

Dilni dhe thërrisni njerëzit e mirë të këtij vendi që të na bashkohen, për vete, për Kosovën. Ata do të vijnë. Ata duan të jenë me ne!

Sepse, ne jemi adresa e këtij vendi në rrugën e drejtë dhe për vendimet e mëdha.

E kemi pasur dhe do ta kemi mbështetjen e fuqishme të këtij kombi të fortë dhe të mrekullueshëm, duke ditur ta bëjmë atë që duhet.

E për këtë, nuk kam asnjë dyshim.

Sepse, e njoh mirë Partinë Demokratike.

Ia njoh forcën. Ia njoh guximin. Ia njoh dijen. Ia njoh vizionin. Ia njoh dashurinë për kombin.

Ju njoh mirë ju.

E të gjithë bashkë, pa asnjë dilemë, ia njohim historinë e saj madhështore.

Kam edhe një mesazh.

Dikush mund të mendojë se pas këtyre zgjedhjeve, Partia Demokratike do të shkojë në gjumë. E kanë gabim.

Ndoshta ne kemi qenë të heshtur ngapak, por ne kurrë nuk ndalemi.

Tash është koha e rizgjimit të Partisë Demokratike të Kosovës.

E rizgjimit tonë të fuqishëm.

Për qytetarët, për kombin dhe për Kosovën.

Urime edhe një herë 20-vjetorin dhe na priftë e mbara”./Telegrafi/