Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është pritur sot paradite në Uashington në takim nga kongresisti Gerald E. Connolly, kryesues i delegacionit amerikan në Asamblenë Parlamentare të NATO-s dhe anëtar i Komisionit për Politikë të Jashtme në Kongresin Amerikan.

Në këtë takim, kryeparlamentari Veseli e njoftoi kongresistin me zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon, ndërsa kanë diskutuar për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

Në 20 vjet liri që nga çlirimi, Veseli tha se Kosova ka arritur progres në të gjitha fushat falë bashkëpunimit të ngushtë me aleatët e përhershëm, SHBA-të dhe vendet mike perëndimore.

“Pas transformimit të FSK-së në ushtri, objektiv kryesor i Kosovës në fushën e sigurisë është anëtarësimi i plotë në Aleancën Veri-atlantike, NATO”, tha Veseli.

Nga ana e tij, kongresisti amerikan shprehu mbështetjen e SHBA-së për hapat e mëtejmë të rrugës euro-atlantike të Kosovës.

“Kosova në të ardhmen e afërt duhet të jetë anëtare me të drejta të plota në NATO dhe BE dhe në këtë rrugëtim do ta keni mbështetjen e SHBA-së”, tha kongresisti Gerald E. Connolly.

Gjatë këtij takimi, Veseli e informoi kongresistin Connolly edhe për nismën e tij për formimin e Tribunalit Ndërkombëtar për gjenocidin serb të kryer në Kosovë, ide kjo e cila u mbështet nga kongresisti amerikan.

“Të gjithë kriminelët e luftës duhet të përgjigjen para drejtësisë për krimet që kanë kryer ndaj civilëve të pafajshëm. Duhet të vijë drejtësia në vend për viktimat e luftës”, tha kongresisti Connolly. /Telegrafi/