LAJMI I FUNDIT:

Veseli: Po humbim kohë me tema patriotike, të orientohemi nga zhvillimi ekonomik

Veseli: Po humbim kohë me tema patriotike, të orientohemi nga zhvillimi ekonomik

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në një takim publik me përfaqësuesit e bizneseve dhe odave ekonomike të vendit, tha se po humbet kohë me tema patriotike, por se duhet të orientohet në pjesën e zhvillimit ekonomik.

Veseli tha se do të vazhdohet me reforma ekonomike e fiskale.


“Për aq sa e kemi biznesin e fortë, ne mund ta bartim si mesazh të sovranitetit në mbarë territorin e vendit. Po humbim shumë kohë me tema patriotike, ky është një moment që ta përqojmë një mesazh që të orientohemi nga pjesa e zhvillimit ekonomik. Sektori privat e bënë zhvillimin ekonomik e jo ai publik dhe do të vazhdojmë me reforma ekonomike e fiskale”, tha Veseli, shkruan Telegrafi.

Ndërsa, ministri Financave, Bedri Hamza, tha se janë bërë mjaftë reforma.

“Kemi marr vendim për lirimin nga dogana për lëndën e parë për prodhuesit. Ky vendim është marr se kemi deficit tregtar dhe kjo do të bëhet që të përkrahet biznesit. Nuk ka ngarkesa të reja tatimore”, tha Hamza.

Hamza tregoi se është duke u përgatitur Projektligji për mbledhjen e TVSH-së në brendësi të vendit.

“Jemi duke punuar që mblidhet TVSH në brendësi të territorit, duke pasur ndikim të madh në ekonominë e Kosovës. Pres që këtë muaj ky Projektligj të kaloj në Kuvend dhe pas kësaj të filloj sa më shpejtë të zbatohet. Qëllimi ynë është që të krijojmë lehtësira në mënyrë që të tërheqim investime”, tha Hamza.

Në fund, ministri i Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, Besim Beqaj, tha se ekonomia e Kosovës duhet të riorientohet në ekonominë dixhitale.

“Sektori i teknologjisë dhe inovacionit ka bilanc pozitiv dhe është falë politikave të ndërmarra. Duhet ta bëjmë riorientimin e ekonomisë në ekonomi dixhitale, sepse këtu është e ardhmja dhe mbi këtë bajë do të jemi bashkërisht”, tha Beqaj. /Telegrafi/