LAJMI I FUNDIT:

Veseli: Nuk ka forcë që do ta ndal iniciativën për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb

Veseli: Nuk ka forcë që do ta ndal iniciativën për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli në një konferencë për media ka folur për krijimin e Tribunalit ndërkombëtar për gjenocidin serb të kryer në Kosovë.

Veseli ka thënë se nuk ka forcë që mund ta ndal iniciativën për krijimin e këtij Tribunali.


“Që nga mbrëmë kam pasur shumë thirrje, mesazhe dhe sot kam takuar edhe disa përfaqësues të shoqatave të viktimave të luftës të cilët kanë shprehur shqetësimin nëse do të ndalen iniciativa për themelimin e Tribunalit ndërkombëtar për gjenocidin serb të kryer në Kosovë. Të gjithë jemi dëshmitar se që nga momenti kur kam nisur këtë iniciativë për ngritjen e Tribunalit Ndërkombëtar për t’i vënë para drejtësisë Serbinë dhe kriminelet serb për gjenocidin në Kosovë, ka pasur përkrahës, ka pasur skeptik, ka pasur mbështetës, ka pasur kundërshtar. 20 vjet të kaluara mbase mund të vihen në dyshim se a mund të dokumentohet e vërteta e gjenocidit serb mbi popullatën tonë. Po, gjurmët e gjenocidit janë çdokund në Kosovë”, ka thënë ai, transmeton Telegrafi.

Veseli ka theksuar se gjenocidi serb në Kosovë nuk e ka bazën tek një foto, as tek një person, por tek një politik shtetërore serbe e cila sipas tij ka kryer krime në mënyrë të planifikuar, sistematike dhe një hierarike të qartë politike, ushtarake dhe policore.
“Tribunali ndërkombëtar për gjenocidin serb do të themelohet për t’i dënuar krimet ndaj mbi 15 mijë shqiptarëve të vrarë dhe të masakruar, në mesin e tyre mbi 1230 fëmijë të vrarë, Vasfijës dhe mijëra grave të dhunuara. Dëbimin e dhunshëm të mbi një milion shqiptarëve, shkatërrimet e gjithë pasurisë sonë private, dhe pasurisë publike, por edhe pasojave traumatike që edhe dje edhe sot i përjeton kombi ynë. Këto janë faktet dhe arsyet mbi të cilat do të ngritët ky Tribunal. A duhet të jetë më i fort dyshimi, ndrydhja, frika, apo duhet të jetë më e fortë e drejta, e vërteta, drejtësia për popullin tonë”, ka theksuar ai.

Ndër të tjera ai ka thënë se nga dita kur është nisur iniciativa për Tribunalin ka pasur etiketime për ta ndalur.

“Sot dua të përçoj edhe një mesazh për të gjithë ata që kanë thirrur dhe po pyesin për Tribunalin Ndërkombëtar për krime dhe gjenocidin serb. Kjo iniciativë nuk do të ndalet, nuk mund ta ndal askush. Nuk ka forcë që do ta ndal të vërtetën për popullin tonë. Nga dita e kësaj iniciative ka pasur goditje, etiketime, do të ketë edhe më tutje, por një gjë duhet të dihet, Tribunali ndërkombëtar për gjenocidin e Serbisë është i pashmangshëm dhe do të ndodhë. Serbia do të përgjigjet për këtë gjenocid dhe kriminelet nuk do të mund të flenë rehat kudo që janë, derisa të dënohen”, ka thënë ai.

Veseli ka theksuar se të hënën do të vazhdohet seanca ku ka mbetur ku do të votohet komisioni shtetëror për dokumentimin e gjenocidit serb në Kosovë si dhe iniciativa për ngritjen e Tribunalit Ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë. Ai tha se do të votohet muzeu i gjenocidit i cili do të ndërtohet mu në qendër të Prishtinës, ku do të votohet muzeu i dëbimit të dhunshëm të qytetarëve të Prishtinës tek stacioni i trenit në kryeqytet.

Ndër të tjera në këtë seancë që pritet të mbahet të hënën, Veseli ka thënë se do ta shpallim edhe ditën e gjenocidit serb në Kosovë./Telegrafi/