LAJMI I FUNDIT:

Veseli komenton zhvillimet e djeshme dhe lajmëron se Kuvendi nga sot shkon në pushim

Veseli komenton zhvillimet e djeshme dhe lajmëron se Kuvendi nga sot shkon në pushim

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, duke komentuar zhvillimet e djeshme dhe tentimin për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, thotë se kanë vepruar konform ligjeve të vendit dhe se Kosova është e përkushtuar për raportet e mira me SHBA-të. Deklaratën e tij mund ta lexoni të plotë më poshtë.

“Në vazhdimësi ka pasë qëndrime të ndryshme rreth Gjykatës Speciale. E di që dje nuk ka qenë një ditë e lehtë për Kosovën. Por, kjo assesi nuk duhet ta dekurajojë askënd e as ta lëkund besimin në Kosovën dhe miqtë e saj.


Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë sovranë në të drejtat, përgjegjësitë dhe vendimet e tyre.

Në respektim të Rregullores së Kuvendit, iniciativa e 43 deputetëve për të sjell një projektligj që shfuqizon Ligjin për Dhomat e Specializuara është shqyrtuar dhe është proceduar për vendimmarrje, bazuar në Rregulloren e Kuvendit. I gjithë procesi është zhvilluar konform ligjeve të vendit dhe qëndrimeve politike të secilit subjekt.

Kosova qëndron e palëkundur në përkushtimin e vet perëndimor, për integrim në Bashkimin Evropian dhe për raporte të veçanta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kuvendi i Kosovës, në bazë të Rregullores dhe Kushtetutës, nga sot futet në pushimin dimëror, deri në javën e tretë të muajit janar”. /Telegrafi/