LAJMI I FUNDIT:

Veseli: E dhimbshme si nuk janë dënuar xhelatët e masakrës së Belegut

Veseli: E dhimbshme si nuk janë dënuar xhelatët e masakrës së Belegut

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se 21 vjet më parë, aparati policor dhe ushtarak i Serbisë kreu një ndër krimet më të rënda kundër njerëzimit duke masakruar 49 shqiptarë në fshatin Beleg të Deçanit.

Veseli, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se është tepër e dhimbshme sot që xhelatët e këtij krimi barbar ende nuk kanë marrë përgjigjen e duhur nga drejtësia ndërkombëtare dhe që shumica e viktimave edhe sot e kësaj dite nuk janë gjetur.


“21 vjet më parë, aparati policor dhe ushtarak i Serbisë kreu një ndër krimet më të rënda kundër njerëzimit duke masakruar 49 shqiptarë në fshatin Beleg të Deçanit. Është tepër e dhimbshme sot që xhelatët e këtij krimi barbar ende nuk kanë marrë përgjigjen e duhur nga drejtësia ndërkombëtare dhe që shumica e viktimave edhe sot e kësaj dite nuk janë gjetur.

Partia Demokratike e Kosovës është kujdesur për Familjet e Viktimave Civile të Luftës dhe të gjitha kategoritë e dala nga lufta si asnjë parti tjetër dhe do vazhdojë t’iu gjendet në krah. Ndryshe nga qeveritë e tjera, sikurse kjo në ikje, PDK-ja ka dëshmuar vepra e jo veç fjalë në ndihmë të këtyre kategorive. Këtë gjë e provon fakti që nën qeverisjen e PDK-së, buxheti i dedikuar për këtë pjesë të ndjeshme të shoqërisë së Kosovës ka ardhur në rritje”, shkruar Veseli.

Më 29 mars të vitit 1999 forca të shumta policore, ushtarake serbe, kishin kryer një masakër në fshatin Beleg të Deçanit, me ç’ rast serbët vranë dhe masakruan 49 shqiptarë.

Kjo është njëra prej masakrave më të mëdha që është kryer në këto anë të Dukagjinit nga forcat ushtarake e policore serbe, të cilët më 1999, filluan një ofensivë të egër ndaj popullatës së Irzniqit dhe Belegut, pasi një ditë më parë ata pësuan humbje nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. /Telegrafi/