Kryeparlamentari Kadri Veseli ka bërë të ditur se ka dorëzuar kërkesën për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar, i cili do të hetojë listat e fryra të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Veseli ka shkruar në faqen e tij në Facebook se askush nuk do të jetë mbi ligjin dhe se ai, ashtu siç ka premtuar, do të jetë i pakompromis në luftën kundër korrupsionit, nepotizmit dhe abuzimit të pushtetit.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës është shumë e madhe për të abuzuar dikush me të. Ushtarët e UÇK-së nuk kanë luftuar që të përfitojnë për vete, por që të fitojë Kosova, që qytetarët e saj ta fitojnë lirinë dhe perspektivën. Mashtruesit që kanë fryrë listat e veteranëve janë duke e lënduar emrin e UÇK-së dhe janë duke abuzuar me paratë e qytetarëve tanë. Kjo do të marrë fund. Siç kam premtuar, ne do ta bëjmë një luftë të pakompromis kundër korrupsionit, nepotizmit dhe abuzimit të pushtetit. Prandaj, unë tashmë kam dorëzuar kërkesën për krijimin e Komisionit Hetimor Parlamentar, i cili do ta hetojë çështjen e listave të fryra të veteranëve dhe që ato të pastrohen. Askush nuk do të jetë mbi ligjin”, ka shkruar Veseli.

Në listën e nënshkruesve të kërkesës për komision hetimor, përveç Kadri Veselit janë edhe 7 deputetë tjerë të PDK-së që kanë qenë edhe pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata janë: Fadil Beka, Bekim Haxhiu, Fatmir Xhelili, Hajdar Beqa, Xhavit Haliti, Elmi Reçica, Rafet Rama. /Telegrafi/