LAJMI I FUNDIT:

Vërshimet shkaktojnë dëme në Malishevë, evakuohet një familje

Vërshimet shkaktojnë dëme në Malishevë, evakuohet një familje

Situata në Komunën e Malishevës pas vërshimeve është qetësuar, mirëpo dëmet konsiderohen të jenë të mëdha.

Kështu ka thënë në një prononcim për Telegrafin, Artan Paçarizi nga Komuna e Malishevës.


Sipas tij, ka rënë niveli i ujit nga vërshimet e mëdha në këtë komunë dhe për momentin janë duke u marrë me sanimin dhe vlerësimin e dëmeve.

Paçarizi tha se fatmirësisht gjatë vërshimeve nuk është rrezikuar jeta e qytetarëve, por siç tha ai nga lagështia që është krijuar tek një shtëpi, anëtarët e asaj familje janë evakuuar për në Qendrën e Banimit Social.

“Situata është qetësuar, ka rënë niveli i ujit, jemi duke u marr me sanimin dhe vlerësimin e dëmeve. Kemi dëmtime vende-vende. Ka ujë që ka depërtuar nëpër shtëpitë e banimit por nuk kemi pasur jetë të njerëzve të rrezikuar. Një familje është evakuuar për shkak të lagështisë që është krijuar në shtëpinë e tyre e nuk kanë mundur të jetojnë aty. Ata janë dërguar në Qendrën e Banimit Social, ndërsa familja është katër a pesë anëtarshe”, ka thënë Paçarizi.

Ai po ashtu tregoi se dëmet e shkaktuara nga vërshimet janë kryesisht tek objektet e banimit, toka bujqësore si dhe bizneset.

“Dëmet janë në objekte banimit, tokë bujqësore, bizneset janë dëmtuar shumë në qytet. Ka dëmtim vende- vende të rrugëve, në kyçjet e rrugëve etj”, tha ndër të tjera Paçarizi. /Telegrafi/