Vendet evakuojnë shtetasit nga Lindja e Mesme, në mesin e tyre edhe kosovarë

Në kushtet e përshkallëzimit të konfliktit midis Izraelit dhe Iranit, disa vende kanë nisur evakuimin e shtetasve të tyre nga rajoni përmes rrugëve ajrore, tokësore dhe detare.
Sulmet e ditëve të fundit dhe hakmarrjet mes dy rivalëve të përbetuar kanë bllokuar pjesën më të madhe të hapësirës ajrore në Lindjen e Mesme, duke ndërprerë pothuajse tërësisht fluturimet komerciale dhe duke e bërë shumë të vështirë hyrjen apo daljen nga ky rajon, raporton agjencia Associated Press.
Përballë kësaj situate, shumë shtete po përdorin kufijtë tokësorë për të nxjerrë qytetarët e tyre drejt vendeve fqinje, ku aeroportet ende funksionojnë.
Në mesin e të evakuuarve janë edhe shtetas të Kosovës. Sipas raportimit të AP-së, një grup prej 89 bullgarësh është evakuuar nga Izraeli drejt Sofjes me aeroplan, së bashku me 59 shtetas të tjerë nga Sllovenia, SHBA-ja, Belgjika, Shqipëria, Kosova dhe Rumania.
Ata janë transferuar fillimisht me autobus nga Izraeli për në qytetin egjiptian Sharm el-Sheikh dhe më pas janë fluturuar për në Evropë.
Ndërkohë, Bullgaria ka zhvendosur të gjithë diplomatët e saj nga Irani në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku. Kryeministri bullgar, Rosen Zhelyazkov, deklaroi të enjten se kjo masë është marrë për shkak të rrezikut të shtuar në Teheran, por shtoi se ambasada bullgare në Iran nuk do të mbyllet përfundimisht.
“Ne nuk po e mbyllim ambasadën, por po e zhvendosim atë në Baku derisa të kalojë rreziku,” tha Zhelyazkov, duke shtuar se qeveria u kishte kërkuar të gjithë bullgarëve që të bashkoheshin me konvojin.
Ata janë nisur me 11 automjete përmes Azerbajxhanit, pasi kjo rrugë është konsideruar më e sigurt sesa ajo përmes Turqisë.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa vendet e tjera po shqyrtojnë gjithashtu mundësitë për evakuimin e shtetasve të tyre nga Lindja e Mesme.
















































