LAJMI I FUNDIT:

Veliu tregon pse i hodhi ujë Xhafer Gashit: Ish-luftëtari i UÇK-së u bë kumbar i vrasjes së demokracisë në Llap

Veliu tregon pse i hodhi ujë Xhafer Gashit: Ish-luftëtari i UÇK-së u bë kumbar i vrasjes së demokracisë në Llap

Deputeti I LDK-së dhe ish-kryetari degës së kësaj partie në Podujevë, Agim Veliu, ka akuzuar kryetarin e degës së LDK-së në Obliq, Xhafer Gashin për kontributin e tij në manipulimin e procesit zgjedhor në degën e Podujevës, ku të martën u zgjodh kryetar Ekrem Hyseni.  Ai ka treguar edhe pse ka hedhur ujë në drejtim të Gashit.

Veliu, përmes një postimi në Facebook, ka akuzuar edhe kryetarin e partisë Lumir Abdixhikun se bashkë me persona të tjerë nga kryesia e LDK-së i kanë dhënë goditjen e dytë LDK-së në Llap.


Veliu ka thënë se “një proces zgjedhor brenda Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Degën e Podujevës ka kulmuar me Kuvendin Zgjedhor, ku u konfirmua e gjithë farsa zgjedhore e dirigjuar nga kryetari i degës dhe disa argatë të tij”.

“Kuvendi Zgjedhor i Degës nisi me shkelje të Rregullores së punës, sepse s’kishte si të ndodhte ndryshe. Për shkeljen e fundit të Rregullores, kryetari i deleguar nga Lumiri, kishte përkrahjen edhe të shumicës së delegatëve, që ishin ulur aty. E shumica ishte deleguar nga ‘takime zgjedhore’ të mbajtura nëpër kafehane e strehë objektesh. U deleguan nga tubime ‘zgjedhore të nëndegëve’ të thirrura edhe nga militantë të partive të tjera, pa dijeninë e kryetarëve të nëndegëve të LDK-së”, ka shkruar Veliu.

Më tej ai ka shkruar se “rëndësi kishte që argatët e kryetarit të Lumirit, me miratimin e kumbarës Xhafer Gashi, të mbushnin procesverbalet dhe të mblidhnin nënshkrimet e duhura që ‘doku’ të sigurojë numrat”.

“Aspak i habitur me veprimet e Lumirit dhe kryeargatit të tij në Llap. Por, pak i befasuar me misionin e ish-luftëtarit të UÇK-së që të bëhet kumbar i vrasjes së demokracisë në Llap, duke i kontribuar përligjjes së manipulimit të procesit zgjedhor. Duke qenë pjesë e Kuvendit Zgjedhor, nuk munda e të mos dal në foltore që t’ua numëroj të gjitha parregullsitë, shkeljet, improvizimet dhe manipulimet e procesit zgjedhor, pjesë e të cilave ishin shumica që ishin në atë sallë, bashkë me miratuesin Xhafer Gashi”, ka thënë Veliu.

Ekrem Hyseni zgjedhet kryetar i LDK në Podujevë
Lexo po ashtu Ekrem Hyseni zgjedhet kryetar i LDK në Podujevë

Ai ka thënë se “pas përfundimit të fjalës kam lëshuar sallën dhe në dalje kam bërë një veprim politik simbolik,  duke i hedhur pak ujë Xhaferit, por jo për ta flladitur nga zhegitja siç ka thënë ai, as për t’ia pastruar fytyrën, por për t’ia bërë me dije atij dhe opinionit për rolin dhe hisen e tij në manipulimin e krejt procesit zgjedhor. Prandaj, të kota janë përpjekjet e tij hipokrite që të mashtrojë opinionin sikur gjithçka ishte në rregull. Xhafer, siç e di ti, i di edhe anëtarësia e çdo nëndege të  gjitha manipulimet që i keni bërë. Lavdata mund të marrësh vetëm nga Lumiri dhe dora e zgjatur e tij në Podujevë”.

“Një ditë më vonë kryemanipulatori i akomoduar në krye të partisë, paska mbledhur në kabinet argatët e tij të ngarkuar me misionin për ta defaktorizuar LDK-në në Llap, për ta festuar hapin e dytë drejt dërgimit të partisë në humnerë. Kreu i manipulimeve paska thënë se Llapi po kthehet si bastion burimor i Lidhjes. E paska thënë një të vërtetë të madhe për bastionin, por Llapi nuk po rikthehet në bastion të LDK-së. Në platformën shkatërruese të LDK-së dhe gjithçka që lidhet me Rugovizmin dhe vlerat e mirëfillta, Lumiri e kishte Llapin në krye të agjendës së tij”, shkruan ai.

Veliu thootë se “qëllimi është që Llapin ta bëjë bastion të Lidhjes së të keqes, Lidhjes së manipulatorëve e argatëve të djallit. Për realizimin e projektit anti-LDK e anti-rugovizëm Lumirit nuk i mjaftuan disa bashkëmendimtarë, që i gjeti brenda shtëpisë së madhe të LDK-së, por iu desh të importojë edhe disa xhafera”.

“Lumir, ti dhe xhaferat e tu, të mërkurën e 21 qershorit jeni ekzaltuar, duke dashur të kremtoni fundin LDK-së në Llap. Por, llogaritë i keni shumë të gabuara. Po ju siguroj se misioni juaj është i dështuar. Lidhja Demokratike dhe Rugovizmi i kanë rrënjët e thella në Llap”, ka shkruar ai.

Ndryshe, të martën në Podujevë është mbajtur Kuvendi Zgjedhor i Degës së LDK-së, në të cilën Ekrem Hyseni është zgjedhur kryetar i kësaj dege. /Telegrafi/