Vela sfidon Hotin: Publiko vendimin e emërimit të Sejdiut si këshilltar politik – nuk ekziston

Blerim Vela, ish-Shef i Stafit të ish-presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar ndaj deklaratave të ish-kryeministrit Avdullah Hoti lidhur me angazhimin e profesorit Bekim Sejdiu në Zyrën e Presidentes.
Vela në një postim në X shkruan se deklarata e Hotit se Sejdiu ka ushtruar detyrën e këshilltarit politik të Presidentes është e pasaktë.
“Si Shef i Kabinetit të Presidentes së Republikës së Kosovës gjatë viteve 2021–2023, kam qenë drejtpërdrejt i përfshirë në procesin e angazhimit të prof. Bekim Sejdiut në Zyrën e Presidentes.”
Prandaj, deklarata e ish-kryeministrit Avdullah Hoti se prof. Sejdiu ka ushtruar detyrën e këshilltarit politik të Presidentes është e pasaktë dhe një insinuatë që nuk i shërben seriozitetit minimal të debatit publik”, shkruan Vela.
Sipas tij, Sejdiu ishte angazhuar si ekspert i jashtëm përmes programit të mbështetjes së Qeverisë së Norvegjisë për institucionin e Presidencës, të zbatuar nga BPRG dhe se ky angazhim nuk përbën emërim në funksion politik si këshilltar i Presidentes dhe as marrëdhënie pune me Presidencën.
“Ky është model i njohur i asistencës ndërkombëtare, pjesë e programit të njejtë që mundësoi angazhimin e ekspertëve të jashtëm në dialog nga Qeveria e Kosovës, përfshirë Veton Surroin, Blerim Shalën dhe shumë ekspertë të tjerë, me mbështetje norvegjeze përmes BPRG.
Gjatë kohës sime në Presidencë, përmes të njëjtit mekanizëm, përveç prof. Sejdiut u angazhuan edhe tre ekspertë të tjerë të jashtëm. Asnjëri nuk ishte këshilltar politik i emëruar. Kontributi i prof. Sejdiut lidhej kryekëput me ekspertizë për çështje të interesit shtetëror.
Vlen të theksohet se prof. Sejdiu ka punuar në çështjen e modaliteteve të raporteve me Vatikanin, në komunikimin me SHBA dhe në angazhimet që lidhen me raportet me Turqinë, përfshirë çështjen e dronëve. Angazhimi i tij kishte ardhur edhe me sugjerim të partnerëve ndërkombëtarë”, ka shkruar tutje ish-këshilltari Vela.
Ai tutje ka thënë se e sfidon Hotin që të publikojë vendimin për emërimin e prof. Sejdiut si këshilltar politik.
“E sfidoj z. Hoti që të publikojë vendimin për emërimin e prof. Sejdiut si këshilltar politik. Një vendim i tillë nuk ekziston. Kjo konfirmohet edhe nga deklarimi i pasurisë: prof. Sejdiu nuk i është nënshtruar këtij detyrimi, pikërisht sepse nuk ka qenë këshilltar politik. Debati publik duhet të bazohet në fakte dhe dokumente, jo në pretendime”, shkruan Vela. /Telegrafi/
🧵
SQARIM PUBLIK
Si ish-Shef i Stafit të Presidentes së Republikës së Kosovës, gjatë viteve 2021-2023, kam qenë drejtpërdrejt i përfshirë në procesin e angazhimit të prof. Bekim Sejdiut në Zyrën e Presidentes.https://t.co/u4a5Zmf0zW
— Blerim Vela (@Blerim_Vela) September 7, 2026





































