LAJMI I FUNDIT:

Vela: Presidentja nuk rrëzohet nga Kushtetuesja, ajo do ta ketë edhe një tjetër mandat

Shefi i kabinetit të Presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela në një intervistë për “Përballje” në Telegrafi me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu ka thënë se nuk ekziston asnjë element për t’u kontestuar juridikisht procesi i zgjedhjes së Presidentes. Ai thotë se edhe nëse ish-kandidati për deputet Veton Berisha fiton rastin në Gjykatën Kushtetuese, Presidentja nuk cenohet.

Vela thotë se viti i dytë i Vjosa Osmanit në krye të Presidencës ka qenë mjaft dinamik.


“Në vitin e fundit kanë ndryshuar rrethanat duke filluar nga lufta në Ukrainë. Presidentja ka qenë jashtëzakonisht aktive, sidomos në politikën e jashtme. Ajo ka prekur shumicën e kontinenteve, duke pasur takime me shtete njohëse dhe jo njohëse për të shtyrë përpara fuqizimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”.

Shefi i kabinetit të Presidentes ka komentuar edhe raportimet në media në lidhje me një rrëzim të Presidentes nga Gjykata Kushtetuese.

Vela thotë se Presidentja do ta vazhdojë mandatin deri në fund dhe ajo nuk do të rrëzohet.

“Presidentja nuk do të rrëzohet. Ajo do ta kryej mandatin e saj dhe do ta ketë një tjetër mandat”, ka deklaruar Vela.

Blerim Vela Met Hajrullahu
Blerim Vela në Intervistë me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu

Vela thotë se edhe nëse do të merret për bazë ankesa e ish-deputetit Veton Berisha, nuk do të cenohet procedura e zgjedhjes së Presidentes.

“Hipotetikisht do të mund të rrëzohej vetëm një deputet. Në raundin e dytë kanë marrë pjesë 82 deputetë. Nuk ka asnjë bazë ligjore, juridike, kushtetuese që të mund të vihet në atë konkludim [rrëzimi i Presidentes]. Lajmi u është shpërndarë mediave [për rrëzimin e mundshëm të Presidentes] nga qarqe që lidhen me Serbinë. Nuk u vë faj këtu mediave. Janë disa shpërndarës të lajmeve të rreme”.

Shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, thotë se nuk ka asgjë kundër mediave dhe sipas tij AGK në disa raste do të duhej të reagonte vet kundër mediave që dezinformojnë.

Në këto vite Presidentja sipas tij ka vendosur një standard të ri sa i përket vendosjes së meritokracisë në institucione.

Ai ka thënë se megjithatë Presidenca nuk ka lënë anash edhe çështje tjera siç ishte reagimi për shtrenjtimin e rrymës.

“Megjithatë institucionet janë të pavarura dhe kanë vendosur ndryshe”, deklaroi tutje Vela./Telegrafi/