Vdiq akademiku Engjëll Berisha


Në vitet 1954-1955 Berisha mbaroi Shkollën e Lartë në Degën e Teorisë dhe të Pedagogjisë Muzikore, në Akademinë e Muzikës të Beogradit. Pas diplomimit, në vitin 1958 kthehet në Prizren, ku deri në vitin 1968 punon në Shkollën e Mesme të Muzikës.
Për mungesë të kuadrit të lartë profesional muzikor, angazhohet të mbajë mësim nga lënda e edukatës dhe e kulturës muzikore edhe në Shkollën Normale dhe në Gjimnazin e Prizrenit.
Në vitin 1968 zgjidhet profesor i lëndës Histori e Muzikës (Dega e muzikës) në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës. Aty punoi deri në vitin 1975. Kur në vitin 1975 u hap Akademia e Arteve (sot Fakulteti i Arteve), Dega e muzikës, u zgjodh ligjërues i lëndës Histori e Muzikës Botërore dhe Kombëtare. Pastaj mori titullin profesor inordinar dhe më vonë profesor ordinar i Universitetit.
Gjatë viteve 1974-1978 studion në Fakultetin Filozofik - Dega për muzikologji në Lubjanë të Sllovenisë. Studimet pasuniversitare (të shkallës së tretë) i ndoqi në Akademinë e Muzikës - Dega për Histori të Muzikës dhe Muzikologji në Sarajevë. Aty magjistron në fund të vitit 1980, duke u lauruar si magjistri i parë shqiptar në muzikologji.
Në Fakultetin e Arteve, në cilësinë e profesorit ordinar, do të ligjërojë lëndën e Historisë Botërore dhe Shqiptare (për një kohë edhe të lëndës Njohja e Literaturës Korale), derisa u pensionua në vitin 2000.
Gjatë viteve 1962-1968 ishte drejtor i Shkollës së Mesme të Muzikës në Prizren dhe drejtor i Gjimnazit, po ashtu në Prizren, gjatë viteve 1969-1970; prodekan në vitet 1975-1977; dekan më 1981-1983. Në Prizren, gjatë disa viteve ishte dirigjent i korit të SHKA “Agimi”. Me ansamblin e kësaj shoqërie muzikore, si udhëheqës artistik është paraqitur shumë herë para publikut kosovar.
Me SHKA “Agimi” ka marrë pjesë në shumë manifestime, gara, koncerte, jo vetëm në Kosovë, por edhe në vende të tjera, si në Shkup, Tetovë, Nish, Beograd, Sarajevë, si dhe në disa qytete të Shqipërisë në vitin 1972, si në Tiranë, Vlorë, Berat, Fier, Durrës, Krujë, Shkodër etj. Me këtë shoqëri ishte edhe në Turqi e në Algjeri.
Ka mbajtur ligjërata e kumtesa në mjaft seminare e tryeza me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar, jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë. /Telegrafi/






































