LAJMI I FUNDIT:

Vdes shkrimtari dhe përkthyesi Faslli Haliti

Vdes shkrimtari dhe përkthyesi Faslli Haliti

Në moshën 85-vjeçare, ndahet nga jeta shkrimtari dhe përkthyesi i njohur nga Lushnja, Faslli Haliti. I përndjekur nga regjimi komunist, ish-deputet dhe nderi i qarkut Fier dhe qytetar nderi i Lushnjës, Haliti është autor i mbi 20 librave, kryesisht me poezi.

Lindi në Lushnjë, më 5 dhjetor 1935. Mbaroi Liceun Artistik për pikturë dhe u diplomua për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës. Ka punuar mësues vizatimi dhe letërsie në Lushnjë më 1961-1973. Nga viti 1973-1983, “për gabime ideore në krijimtari”, veçanërisht në poemën “Dielli dhe rrëkerat”, ka punuar si kooperativist i thjeshtë në një kooperativë bujqësore të rrethit Lushnjë e në Komunale.


Gjatë gjithë kësaj periudhe konvaleshence ideologjike, iu hoq e drejta e botimit. Gjatë viteve 1998-2001 ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Që nga viti 1969 ishte anëtar i LSHASH-së. Është nderuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare. Është përfshirë në disa antologji në gjuhë të huaja, si italisht, anglisht, gjermanisht, greqisht. Është dekoruar me Urdhrin “Naim Frashëri” të Klasit III, të Klasit I si dhe me Urdhrin “Naim Frashëri” i Artë. Ka fituar çmimin e madh “Poeti më i mirë i vitit” më 2017, dhënë nga Fondacioni Kulturor “Harpa”.