Vdes në QKUK 51-vjeçarja nga Ferizaj, dyshohet se kishte konsumuar preparate higjienike

Një grua 51-vjeçare nga fshati Rakaj i Ferizajt ka ndërruar jetë sot, më 22 tetor 2025, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku ishte dërguar për trajtim pasi dyshohet se kishte konsumuar preparate higjienike.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë Rajonale të Ferizajt, Kanun Veseli, i cili tha se ngjarja është raportuar rreth orës 09:30 të mëngjesit.
“Sot, më 22.10.2025, rreth orës 09:30, Policia ka pranuar një informatë se në fshatin Rakaj një person i gjinisë femërore kishte konsumuar preparate higjienike. Menjëherë, hetuesit rajonalë dhe njësia e Forenzikës Rajonale kanë dalë në vendin e ngjarjes”, tha Veseli.
Sipas tij, viktima fillimisht është dërguar në Qendrën Emergjente të Ferizajt, ndërsa më pas është transportuar për trajtim të mëtejmë në QKUK në Prishtinë. “Rreth orës 12:45, nga QKUK jemi njoftuar se viktima (51-vjeçe) kishte ndërruar jetë”, shtoi ai.
Me urdhër të prokurorit të rastit, rasti është iniciuar si vetëvrasje, ndërsa trupi i pajetë i viktimës i është dorëzuar familjarëve për ceremoninë mortore.









































