LAJMI I FUNDIT:

Vdekja tragjike e muzikantit të ri në Firence dhe vepra e mohuar në komunizëm

Vdekja tragjike e muzikantit të ri në Firence dhe vepra e mohuar në komunizëm

Fatmira Nikolli

“Valle kombëtare” ribotohet pas shumë viteve. Është ky një botim me vlerë për studiuesin Gjon Kujxhija, që mblodhi thesaret e valleve e ahengut shkodran.


“Ishte orkestrina familjare e formuem nga vllaznit: Ndoc, Gjon e Lin së bashku me kushrinin tonë, muzikantin popullor, Rud Gurashi, që formojshin orkestrinën mandolinatë. Ndër raste datëlindjesh e emnash, u mblidhshin të gjithë në shtëpinë tonë, e aty me kangë të bukura familjare, e me pjesë nga melodramat e kompozitorit të talentuem Dom Mikel Koliqi e klasike, shpërthente entuzjazmi i të gjithvet. Mandej ky grup do t’u kthente në kor serenatë, tue përcjellë nëpër shtëpija miqt e ftuem. Kangët e Schubertit- si Serenata ose ‘Va pensiero’ e Verdit, ushtojshin armonishëm nëpër rrugët e zbrazta të qytetit”.

Në një familje si kjo, u rrit në Shkodër Gjon Kujxhija. Pothuaj një emër i panjohur që jetoi pak, por para se të ikte nga kjo jetë krejt i ri, la pas një trashëgimi të pasur kulturore. Për ta kujtuar për ata që e kanë njohur dhe për t’ua prezantuar atyre që nuk e dinë kush është libri kushtuar atij. I shoqëruar me shkrime historike për figurën dhe kontributin e tij ribotohen njëherësh në mënyrë fototipike studimet e tij të viteve 1940, “Valle Kombëtare dhe ahengu shkodran”.

Kush ishte Kujxhija, djaloshi që ndonëse u shua në moshën 23-vjeçare la pas një vepër që ende sot, vlerësohet për çfarë ka përçuar deri në ditët tona?

Pat lindur më 11 maj 1920. Sipas Tonin Zadesë, shtëpia e Kolës, të atit të Gjonit, ishte “skena e parë ku vëllezërit, motrat dhe bashkëmoshatarët e familjeve fqinjë me ta, këndonin dhe recitonin”.

Ndërsa Injac Kujxhija, i vëllai, kujtonte: “Gjoni me anë të disqeve na njofti me muzikantat e mëdhenj botnor si: Bach, Händel, Mozart, Beethoven, Schubert, Verdi etj’.

Grupit familjar të Kujxhijave iu shtuan më vonë edhe djem dhe vajza të lagjes Gjuhadol, lagje kjo e mirënjohur e Shkodrës. Në këto argëtime ku fëmijët e të rriturit luanin në instrumente e këndonin në kore nën meloditë e valleve të kënduara të martesës e të shregullave, Gjoni mjaft natyrshëm vihej në rolin e organizuesit së ‘shfaqjeve’, të cilat shpërbleheshin me duartrokitjet e prindërve të fëmijëve pjesëmarrës. Gjoni ‘këndonte shumë bukur si solist e ndër kore, si bas, luante në teatër dhe merrte pjesë në orkestrina me kitarë”.

Pas shkollës fillore, Kujxhija i vazhdoi mësimet pranë liceut “Illyricum” të Etënvet Françeskanë. Që në klasat e para të këtij liceu ai tërheq vëmendjen e kompozitorit, organizatorit dhe drejtuesit të veprimtarive muzikore në qytetin e Shkodrës, Atë Martin Gjoka. Krahas mësimeve të përgjithshme në gjimnaz, Gjoni i kushtonte një kohë të mirë thellimit të njohurive të tij me mësimet bazë të muzikës. ‘Pas mbarimit të shkollës së mesme (1939) shkoi për studime në konservatorin ‘Luixhi Kerubini’ në Firence’ (Harapi, ‘Jeta e re’, 1991).

Gjoni pati përparuar shpejt e mirë si në përdorim të veglave muzikore edhe në teorinë e muzikologjísë shkruante Ernest Koliqi në ‘Shêjzat’ më 1963. Pas përvojës së parë si muzikant ai shkoi në Firence për të studiuar në konservatorin ‘Cherubini’.

Studimet e Gjonit u prenë në mes nga një bombardim ajror që përfshiu edhe shtëpinë ku ai banonte e shkruante veprat e tij muzikore. Ishte kjo ngjarje që shënoi ditën fatale të 25 shtatorit 1943. Nëntë muaj më pas, Kolë Ashta do të kujtonte: “Në një ças iu mbush mendja me shkue kah shtëpija për të krye nji punim muzikuer. Shokët iu lutne që të rrinte me ta. Nuk ndëgjoi. Por sa kishte çelë pentagramat ulurijti kushtrimi ajruer. Edhe këtu iu lutne njerzit e shtëpis. Nuk ndëgjoi të zbresi në strehim me ta”.

Koliqi 20 vjet më vonë do të kumtonte se “Muzicisti shkodran Gjon K. Kujxhija qi në lule të rinís dhe në vlug të fuqive krijuese vdiq tue pasë moshën njizetrivjeçare në bombardimin qi pësoi Firenze me 25 shtatuer 1943” (Koliqi, ‘Shêjzat’, 1963).

U ndërprenë vitet studenteske të Gjonit, u ndërpre muza e tij djaloshare, për t’u zëvendësuar me veprën e tij të pashembullt, të papërsëritshme, unikale në historinë e muzikologjisë shqiptare.

Profesori Eno koço marrë përsipër editimin e botimit për Gjon Kolë Kujxhinë. Për të botimi i librit “Valle Kombëtare” ishte një ngjarje e shënuar për muzikologjinë shqiptare; ishte një afirmim i muzikës tradicionale qytetare shkodrane, e cila edhe pse njihej nga praktikantët e saj, nga bashkëqytetarët e saj, por vetëm në formë gojore, tani do të kishte një referencë të qartë që ashtu si lëmet e tjera të folklorit e visareve të kombit, do të fiksohej në letër e kënduar në shqip, e shkruar shqip dhe e studiuar më së miri në shqip.

“Fakti që Kujxhija e lidh vallen e kënduar shkodrane me vallen e jugut shqiptar (Dardhë, Përmet e Labëri) të bën të mendosh se vendosja e titullit të librit ‘Valle kombëtare’ dhe jo ‘Valle shkodrane’ apo ‘Dasëm shkodrane’, lidhet me vizionin e tij prej ‘iliri të ndezun’ për të bërë një përgjithësim mbarëkombëtar të nocionit të ‘valles’, madje duke e shtrirë edhe më poshtë, në Epir, atje ku lëvrohej vallja e hershme pirrike”, thotë ai.

Në 1943 Gjon Kujxhija botoi në Firenze librin “Valle kombëtare”, vepër kjo krejt e përveçme edhe për ditët e sotme të valleve të kënduara të dasmës shkodrane. Mustafa Krantja në artikullin e tij “Valle shkodrane” të 26 korrikut 1944 e paraqet kështu librin e Kujxhisë: “Libri ndahet në tri pjesë: në fillim nji parathanje shumë e mirë në të cilën auktori shoshitë probleme me randësi të madhe të muzikës s’onë. Pjesa e dytë përmban një spjegim të hollësishëm të zakoneve të fejesës e martesës në gjindjen katolike të Shkodrës. Vallet qi titullojnë librin janë rrjeshtue në pjesën e tretë të tij’ (Krantja, ‘Bashkimi i Kombit’, 1944)”.

Pra, ashtu siç e vë në dukje edhe Krantja, parathënia përshkohet nga erudicioni i gjerë e guximi i shtrimit të tezave me synimin për të paraqitur një vepër thellësisht kombëtare, si për të përforcuar gjenezën e shqiptarit të hershëm, apo siç pohon Kolë Ashta, “Gjoni gjatë bisedës u mundonte me e lidhë mendimin me emnin Ilirí” (Ashta, ‘Bashkimi i Kombit’, 1944). “Dokët, fejesa – martesa” është pjesa e dytë teorike e librit, ajo që pason parathënien ku jepen 115 shpjegime mbi këto rituale të hershme vendore. Pas këtyre dy pjesëve të shkruara teorike, vjen notëzimi i 52 valleve të kënduara bashkë me tekstin e tyre poetik që është i vendosur nën nota, ashtu siç është e rregullt të bëhet, por teksti jepet edhe në formën e një vjershe të shkruar më poshtë ku shihet qartë rima, rrokëzimi dhe natyra e vargut. Në fund të faqes vihet dhe shënimi se ku dhe kur këndohet vallja.

“Ja disa shembuj: ‘Me ket valle fillon rituali i martesës. Këndohet kah djali t’ejten paradite’; ‘Kurdoherë për fejesë dhe martesë. Edhe në shregull’; ‘Me ket melodi edhe vjerrsha tjetër’; ‘Kah djali kurdoherë para marteset’. Të këtilla shënime jepen në fund të çdo valleje të kënduar. Që prej viteve të Shkodrës për të vijuar me ato të Firences, Kujxhija ishte në procesin e krijimit e një vetëdije personale, e cila bazohej e konsolidohej nga burime të ndryshme, të shkruara dhe gojore, duke i dhënë atij gjithnjë e më tepër siguri për t’i hedhur në letër në ato që ai besonte. Kujxhija që në faqen e parë të Parathanje-s së tij do të shpaloste njohuritë që ai kishte për muzikën në Shkodër, etapat që ajo kishte kaluar ndër shekuj. Ishin njohuri këto të marra nga shkodranë eruditë, njëri nga të cilët ishte ‘folkloristi i njoftun dhe muzikanti i vlerët P. Bernardin Palaj’ – siç e konsideronte këtë personalitet shkodran Gjon Kujxhija.
Kujxhija i ndante kështu etapat e muzikës: ‘Në Shkodër, kemi dy soje muzike, ase ma mirë me thânë, dy perjudha të ndryeshme të krijimit dhe të zhvillimit të sajë. I. Fillon prej kohve të lashta dhe arrinë deri te pushtimi i Shqipnisë prej Turkisë. II. Përfshinë perjudhën e pushtimit deri në kohë të sotçme. Së parës i përkasin ‘vallet’; së dytës ‘kangët e hêngut’”, ka thënë Ashta.

Botimi i librit “Valle Kombëtare” ishte një ngjaje e shënuar për muzikologjinë shqiptare, ishte një afirmim i muzikës tradicionale qytetare shkodrane, e cila edhe pse njihej nga praktikantët e saj, nga bashkëqytetarët e saj, por vetëm në formë gojore, tani do të kishte një referencë të qartë që ashtu si lëmet e tjera të folklorit e visareve të kombit, do të fiksohej në letër e kënduar në shqip, e shkruar shqip dhe e studiuar më së miri në shqip. Fatkeqësia e këtij libri unikal qëndron në atë që jo vetëm u botua në pak kopje, pasi autori donte të vilte mendimin e gjerë intelektual e më pas ta ribotonte me ndonjë ndryshim të nevojshëm, por ajo më e madhja qe se vetëm një vit pas botimit të librit në Firence, në Shqipëri do të vendosej pushteti totalitar dhe Kujxhijat u konsideruan të padëshiruar për sistemin e ri, kësisoj edhe libri i Gjonit do t’i nënshtrohesh persekutimit për të mos u bërë kurrë objekt studimi, për të mbetur i panjohur.

Studiuesit kanë shënuar se Kujxhija i transkriptoi me përgjegjshmëri të lartë meloditë e 52 valleve të kënduara nga vetë goja e “atyne trembëdhetë zojave kah ka ndigjue vallet, e prei atyne nandë zotnijve sigurisht do ta ketë ndigjue mâ se ‘i herë’”, shkruante Injac Zamputti nga Shkodra, në tetor të vitit 1943. “Burimi i parë i këtyre valleve të kënduara të ritualit të martesës kanë qenë vetë praktikantët lokalë edhe pse duke qenë trashëgimi gojore dhe jo e notëzuar nuk mund të thuhet se varianti i transkriptuar i Kujxhisë të ishte i vetmi që praktikohej aso kohe në Shkodër. Libri ’Valle Kombëtare’ është botim i cilësisë së lartë në përmbajtjen e të cilit gjenden meloditë e notëzuara me tekstet përkatëse bashkë me studimin dymbëdhjetë faqesh, Diftojsi-n prej dy faqesh, si dhe dy faqe të tjera me tekste këngësh”.