Vdekja nuk e fshin fajin
Gojko Stojçeviq alias Patriarku Pavlle me 15 nëntor të këtij viti, iku nga kjo botë pa dhënë llogari për bëmat e tij në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Në krye të Kishës Ortodokse Serbe erdhi në dhjetor të vitit 1990, si Patriark i 44 i KOS-it.
Duke parë faktet mbi bëmat e Kishës Ortodokse Serbe dhe sidomos rolin e Patriarkut Pavlle gjatë viteve të nëntëdhjeta në hapësirat e ish-Jugosllavisë, automatikisht vijmë të konkludimi se nuk kemi të bëjmë me një institucion që i shërben Zotit dhe fesë.
Ndikimi i Kishës Ortodokse Serbe dhe lidhja e saj me popullin serb ka qenë shumë e veçantë në krijimin e konceptit serbomadh. Institucioni i KOS-it ka qenë aq i angazhuar në projektin e Serbisë së Madhe, sa që është e vështirë të flasim për një institucion fetar.
KOS gjatë historisë është prezantuar si “rojtar i traditës së shtetit nemanjiq”, dhe me të madhe është ushqyer nga mitet për “heronjtë” dhe “shenjtorët” e saj kundër okupatorëve joortodoks.
Me ardhjen në krye të KOS-it Patriarku Pavlle vetëm sa ka shtuar filetizmin kishtar me angazhimet e tija të drejtpërdrejta në luftrat e viteve të nëntdhjeta. Gjatë viteve ’92 – ’95 kur Bosnja dhe Hercegovina po kalonte tmerrin më të madh në truallin Evropian që prej luftës së dytë botërore, Patriarku Pavlle me bekim i nderonte e udhëzonte vrasësit Karaxhiq e Mlladiq.
Para Kombeve të Bashkuara, gjatë kohës sa po pastronte Serbia Kosovën nga shqiptarët, Patriarku Pavlle mbante ligjërata dhe dezinformonte botën se gjoja shqiptarët-musliman po bëkan kërdi duke shkatërruar çdo gjë ortodokse.
Fakti që Gojko Stojçeviq alias Patriarku Pavlle erdhi në krye të Kishës Ortodokse Serbe, askënd nuk e bindëte në atë kohë që ky institucion “fetar” serb do të reformonte vetën, duke ikur nga impenjimi i saj në politikën shtetërore. Përkundrazi ardhja e Patriarkut Pavlle e bëri edhe më të pranishme Kishën Ortodokse Serbe në procesin e dhunshëm të rënies së Jugosllavisë.
Në shumë hapësira lufte, klerikët Serb nën përkujdesjen e KOS-it dhe me bekimin e Patriarkut Pavlle, ishin pjesëmarrës aktiv në luftëra kundër joortodoksve. Këtë fakt e mbulon edhe deklarata e kriminelit Zhelko Razhnjateviq – Arkan, i cili kishte pohuar se vetëm Patriarkun Pavlle e pranon si komandant suprem.
Fakti që ky patriark asnjë gjyqi në këtë botë nuk i dha llogari, padyshim që gjyqin më të madh do ta ketë tek Zoti, por që as vdekja nuk e fshin fajin e tij, kurse KOS me siguri, duke e gënjyer veten dhe popullin do të vazhdojë avazin e vjetër.



































