LAJMI I FUNDIT:

Vdekja e tre këmbësorëve, policia arreston edhe të dyshuarin e dytë për aksidentin në autostradën “Ibrahim Rugova”

Vdekja e tre këmbësorëve, policia arreston edhe të dyshuarin e dytë për aksidentin në autostradën “Ibrahim Rugova”

Tre persona janë goditur për vdekje nga një veturë në autostradën “Ibrahim Rugova”. Ngjarja tragjike ka ndodhur të shtunën rreth orës 22:00.

Sipas raportimeve të para, në atë pjesë dyshohet se ishte duke u zhvilluar një garë e veturave, ku ishin mbledhur qytetarë për të shikuar garat.


Lidhur me rastin, policia ka arrestuar edhe personin e dytë të dyshuar.

“Lidhur me rastin e aksidentit me pasoja fatale i ndodhur në autostradë, pas arrestimit fillimisht të një personi të dyshuar, sot është identifikuar dhe arrestuar edhe një person i dytë i dyshuar. Pas intervistimit të personit të dyshuar, me urdhër të prokurorit i njëjti ndalohet për 48 orë”, ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Daut Hoxha.

Policia: Tre viktimat e aksidentit në Prizren u goditen nga vetura – arrestohet i dyshuari
Lexo po ashtu Policia: Tre viktimat e aksidentit në Prizren u goditen nga vetura – arrestohet i dyshuari

Më herët policia konfirmoi rastin, duke njoftuar se nga aksidenti kanë mbetur të lënduar edhe tre persona.

“Gjatë ngasjes në autostradë i dyshuari kosovar dyshohet se ka humbur kontrollin mbi veturën dhe për pasojë ka goditur tre persona meshkuj kosovar-këmbësorë. Si pasojë, tre personat e goditur kanë humbur jetën, ndërsa tre të tjerë kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar për tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i rastit dhe me vendimin e tij (tre) trupat e pajetë pasi është konstatuar vdekja e tyre nga ekipi mjekësor, janë dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftim.

Hetimet lidhur me këtë aksident janë duke u kryer nga njësitet relevante policore./Telegrafi/