Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, përmes një komunikate drejtuar mediave ka reaguar për vdekjen e një të burgosuri në Qendrën Korrektuese në Dubravë.

Në reagimin e tyre thuhet se, Tasim Zhuniqi, 64 vjeç , i dënuar dhe në vuajtje të dënimit në Qëndrim Korrektuese në Dubravë, më 15 shtator 2025 ndërroi jetë në Spitalin Rajonal të Pejë, pas një komplikimi me mushkëri.


"Sipas KMDLNj - ë, i dënuari i ndjerë Zhuniqi ishte dërguar me urgjencë në S.R. në Pejë nga Njësia Ambulantore e Q.K .të Dubravë ku trajtohej në kuadër të mundësive profesionale e që , sipas KMDLNj- së ishin dhe janë të pamjaftueshme për trajtim të rasteve të rënda", thuhet në njoftim.

Po ashtu, theksohet se trupi i të ndjerit, me vendim të prokurorit është dërguar në Institutin për Mjekësi Ligjore për obduksion , siç parashihet me LESP - ë.

"KMDLNj - ë edhe më herët ka theksuar se pa ndërtimin e një spitali në kuadër të Shërbimit Korrektues të Kosovës, pa investim në infrastrukturë profesionale duke ofruar stimulim shtesë për profesionistët shëndetësorë që do të punonin në këtë spital, nuk do të ketë përmirësim të trajtimit të shëndetit për personat e privuar nga liria përkundër angazhimit maksimal të Shërbimit shëndetësor të burgjeve".

Po ashtu, theksohet se, transporti i të burgosurve për trajtim, sidomos të rasteve me rrezikshmëri të lartë paraqet problem të madh.

"Mungesa e kapacitetit pranues në institucionet shëndetësore publike është sfidë e madhe për SHKK dhe SHSHB, e para në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë kurse e dyta e Ministrisë së Shëndetësisë. Për KMDLNj paraqet brengë të veçantë pandjeshmëria e gjykatave edhe për rastet me sëmundje të pashërueshme duke refuzuar thuaja çdo kërkesë të argumentuar nga Shërbimi Spitalor i Burgjeve për ndërprerje të dënimit. KMDLNj - ë i shprehë ngushëllime familjes së të ndjerit duke kërkuar reflektim institucional", vijon reagimi. /Telegrafi/