Një grua ka humbur jetën të shtunën si pasojë e rënies nga Ura e Moglicës në Gjakovë.

Lidhur me këtë rast Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda” ka dalë me një njoftim për media ku ka dhënë detaje rreth rastit tragjik.


“Më datë 21.03.2026, rreth orës 20:15, në Shërbimin e Emergjencës në Spital është sjellë nga ekipi i Urgjencës së Mjekësisë Familjare një paciente femër, me shenja jete, në gjendje të rëndë politraume dhe e pavetëdijshme”, ka njoftuar spitali.

Tutje, në njoftim përshkruhen edhe ndërhyrjet emergjente të stafit mjekësor.

“Ekipi mjekësor ka ndërmarrë menjëherë të gjitha masat emergjente sipas protokolleve në fuqi, përfshirë intubimin endotrakeal dhe fillimin e reanimimit kardiopulmonar (RKP). Pavarësisht përpjekjeve maksimale të stafit dhe reanimimit të vazhdueshëm, pacientja nuk ka reaguar ndaj terapisë dhe ka ndërruar jetë në orën 21:20”, thuhet tutje në njoftim.

Ndërkohë, identifikimi i viktimës është bërë më vonë me ndihmën e policisë.

“Rreth orës 22:00, me asistencën e Policisë së Kosovës, është bërë identifikimi i pacientes”, ka njoftuar spitali.

Në fund, Spitali “Isa Grezda” ka shprehur ngushëllime për familjen e viktimës, duke e cilësuar rastin si tragjik.

Ndryshe policia në raportin 24 orësh ka dhënë detaje të reja gjithashtu. Policia ka njoftuar se se viktima femër kosovare kishte rënë në ujë nga një urë ku e njëjta ishte tërhequr nga uji nga një qytetar kalimtar rasti.

"Njësit relevante kanë dal në vendin e ngjarjes ku nga stafi mjekësor i është dhënë ndihma e parë viktimës dhe më pas është dërguar në Emergjencë për trajtim të mëtutjeshëm. Sipas stafit mjekësor viktimës i është keqësuar gjendja dhe e njëjta kishte ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion", ka njoftuar policia. /Telegrafi/