Një aksident tragjik ka ndodhur më 21 korrik në një vendpunishte në rrugën “Bardhyl Qaushi” në Gjakovë, ku dy punëtorë ndërtimtarë, H.J. dhe D.B., kanë humbur jetën pasi ranë nga kati i tretë i një objekti në ndërtim.

Ngjarja ka ndodhur gjatë orarit të punës dhe sipas autoriteteve hetuese, rënia fatale është pasojë e mungesës së masave të nevojshme mbrojtëse dhe moszbatimit të rregullave të sigurisë në punë. Të ndjerët nuk kanë mundur t’i mbijetojnë plagëve të rënda që kanë marrë nga rënia.


Lidhur me rastin, janë arrestuar dy persona të dyshuar për neglizhencë dhe rrezikim të sigurisë në vendin e punës. Të arrestuarit janë Albert Margegaj (rreth 49 vjeç) dhe Xheladin Pozhegu (rreth 46 vjeç), të cilët sipas Prokurorisë, vepronin në cilësinë e investitorit dhe punëkryesit.

Të dyshuarit përfaqësojnë kompanitë ndërtimore “M. G.” Sh.P.K dhe “NTSH Sh…” Sh.P.K, dhe akuzohen se nuk kanë siguruar pajisjet e domosdoshme mbrojtëse për punëtorët, duke sjellë si pasojë humbjen e jetëve.

Gjykata Themelore në Gjakovë ka vendosur masën e arrestit shtëpiak prej një muaji për të dy të dyshuarit, duke refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit. Gjyqtari i procedurës paraprake, Driton Sadiku, ka vlerësuar se në këtë fazë të hetimeve arresti shtëpiak është masë e mjaftueshme.

Arresti shtëpiak do të jetë në fuqi deri më 20 gusht 2025, ndërkohë që hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.