Vazhdon operacioni policor në Prishtinë, Pejë dhe Gjilan - deri tani janë arrestuar rreth dhjetë persona

Operacioni policor kundër veprimtarive të lidhura me drogën dhe krimet kibernetike është duke vazhduar. Ai ka filluar në orët e hershme të mëngjesit në rajonet e Prishtinës, Pejës dhe Gjilanit.
Sipas burimeve të Telegrafit, deri tani janë arrestuar rreth dhjetë persona, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në këto aktivitete kriminale.
Ndërkohë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka konfirmuar për Telegrafin se janë kontrolluar disa lokacione në kuadër të këtij operacioni.
“Pas një pune operative dhe hetimore, nga zyrtarët e Departamentit të Hetimeve të Policisë së Kosovës (PK), nën autorizimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), sot në orët e hershme të mëngjesit është realizuar një operacion i suksesshëm policor. Gjatë këtij operacioni policor janë kryer kontrolle në tri rajone të Kosovës që përfshijnë një numër të konsiderueshëm të lokacioneve të ndryshme, kundër trafikimit me narkotik dhe krimeve kibernetike”, ka pohuar ai.
Lidhur me aksionin që po zhvillohet në disa rajone të Kosovës janë deklaruar edhe nga Prokuroria Speciale.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta tha për Telegrafin se aksioni lidhet mbi dyshimet për kontrabandim me substanca narkotike.
“Ju njoftojmë se Policia e Kosovës, në bazë të urdhrit të Gjykatave kompetente, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës ka zhvilluar një aksion mbi dyshimet rreth kontrabandimit me substanca narkotike. Bastisjet janë zhvilluar në disa lokacione, nën udhëheqjen e prokurorit të rastit të Prokurorisë Speciale. Për detaje të tjera, publiku do të njoftohet gjatë ditës”, deklaroi ajo./Telegrafi/





















































