Vazhdon 'lufta' Mbappe-PSG, francezi me një tjetër padi ndaj kampionëve të Evropës

Kylian Mbappe ka ndërmarrë veprime ligjore kundër Paris Saint-Germain, duke akuzuar ish-klubin e tij për ngacmim moral.
Sipas RFI, ankesa është dorëzuar zyrtarisht në Paris dhe çështja është tashmë nën hetim nga dy gjyqtarë të caktuar për këtë rast.
Zyra e prokurorit të Parisit konfirmoi se “Një hetim gjyqësor u hap të martën, më 24 qershor, pas marrjes së ankesës nga Kylian Mbappe”.
Shkaku i konfliktit lidhet me përjashtimin e sulmuesit nga stërvitjet e ekipit të parë verën e kaluar, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi kontratën. PSG dyshohet se e përdori këtë masë si presion për ta detyruar të rinovonte ose të largohej.
Mbappe, përveç padisë për ngacmim moral, po kërkon edhe 55 milionë euro në formë pagash dhe shpërblimesh të papaguara. Në prill, ai fitoi një urdhër gjykate për të sekuestruar këtë shumë, ndërsa çështja mbetet e hapur.
PSG ka reaguar duke ngritur një kundërpadi. Klubi jo vetëm që kundërshton sekuestrimin e shumës, por pretendon se vetë Mbappe mund t’u detyrohet atyre para.
Beteja ligjore mes palëve pritet të zgjasë, ndërsa përplasja vazhdon në gjykata. /Telegrafi/



















































