LAJMI I FUNDIT:

Vazhdon aplikimi për tu regjistruar si votues jashtë Kosovës, deri sot nga KQZ-ja janë aprovuar 653 aplikacione

Vazhdon aplikimi për tu regjistruar si votues jashtë Kosovës, deri sot nga KQZ-ja janë aprovuar 653 aplikacione
Foto: Ilustrim

Periudha e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 10 korrik, është duke vijuar deri më 18 gusht, ndërkaq deri më tani janë pranuar 699 aplikacione për regjistrim.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.


Elezi tha se “Pas shqyrtimit të tyre nga shërbimi votues janë aprovuar 653 aplikacione, ndërsa 46 të tjera nuk janë aprovuar deri më tani për shkak se aplikuesit nuk kanë plotësuar kriteret juridike për t’u përfshirë në listën votuese jashtë Kosovës”.

“Të gjithë personat që arrijnë të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës do të mundet të votojnë në një fazë të mëvonshme përmes postës, e cila fillon më 15 shtator, ndërsa fletëvotimet në adresë të KQZ-së duhet të arrijnë deri më 15 tetor”, tha Elezi.

Tutje ai bëri të ditur se, “Është duke vazhduar periudha e aplikimit të subjekteve politike për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 17 tetorit si dhe për dorëzimin e listës me emrat e kandidatëve për Kryetar Komune apo për Kuvende Komunale. Kjo periudhë përfundon më 16 gusht”.

Sipas tij, “Deri më tani kemi pranuar 6 aplikime të subjekteve politike, prej tyre 3 iniciativa qytetare, 1 parti politike dhe 2 kandidatë të pavarur”.

Subjektet që kanë aplikuar deri më 15 korrik 2021 janë këto:

  1. Partia politike Lëvizja Qytetare Vatra ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kryetar Komune dhe për Kuvend Komunal në Gjilan;
  2. Kandidati i pavarur Kastriot Bushi ka aplikuar për certifikim për Kryetar Komune në Kaçanik;
  3. Iniciativa Qytetare Lista Guxo ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kuvend Komunal në Ferizaj;
  4. Iniciativa Qytetare Ne Guxojmë ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kuvend Komunal në Ferizaj;
  5. Kandidati i pavarur Agim Gjeli ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kuvendin Komunal në Fushë Kosovë; dhe
  6. Iniciativa Qytetare Bashkë për Istogun ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kryetar Komune dhe për Kuvend Komunal në Istog. /Telegrafi/