Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka bërë të ditur se gjatë ditëve të fundit janë realizuar punime të rëndësishme infrastrukturore, duke përfshirë asfaltimin e disa rrugëve kryesore dhe lagjore, si në qytet ashtu edhe në fshatrat përreth.

Sipas kryetarit Idrizi, këto punime kanë për qëllim përmirësimin e qarkullimit rrugor, lehtësimin e komunikacionit dhe rritjen e sigurisë për banorët.


Ai theksoi se investimet në infrastrukturë janë një prioritet i qeverisjes lokale dhe pjesë e angazhimit për të krijuar kushte më të mira jetese për të gjithë qytetarët e Vushtrrisë, përcjell Telegrafi.

“Angazhimi ynë është që rrugët e qytetit dhe të fshatrave të jenë të sigurta, të mirëmbajtura dhe funksionale. Asfaltimi i këtyre rrugëve është vetëm një nga hapat drejt përmirësimit të infrastrukturës dhe lehtësimit të jetës së përditshme të banorëve”, tha kryetari Idrizi.

Punimet infrastrukturore vazhdojnë edhe në disa zona të tjera, ndërsa Komuna e Vushtrrisë garanton se do të fokusohet në projektet që përmirësojnë standardin e jetesës dhe qarkullimin e sigurt për të gjithë qytetarët. /Telegrafi/