LAJMI I FUNDIT:

Vasfije Krasniqi Goodman – heroina e luftës prapa së cilës kumbojnë zërat e shumë të mbijetuarve të dhunës seksuale

Vasfije Krasniqi Goodman – heroina e luftës prapa së cilës kumbojnë zërat e shumë të mbijetuarve të dhunës seksuale
Vasfije Krasniqi - Goodman (Foto: Ridvan Slivova & Getty Images, Foto-kolazh: Endrit Dallaveraj/Telegrafi)

Sa herë na bien në mend heroinat, emri i saj është ndër të parat që godet veshin e gjithësecilit.

Vasfije Krasniqi – Goodman është zëri i shumë grave shqiptare, një frymëzim për këdo që nuk e ka gjetur dritën në fund të tunelit. Historia e saj është sa e trishtë, aq edhe në fitimtare në kërkimin e së drejtës – një kauzë e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite.


Pak ditë më parë, më 14 prill ajo u pa kryesoi Marshin e Grave në qendër të Prishtinës, në kërkim të së drejtës për gratë e dhunuara seksualisht gjatë luftës. Ajo tenton që këtë datë ta kthejë në një ditë të shënuar, për të gjithë viktimat e abuzimit seksual, duke dhënë shembullin se si e drejta e ka rrugën e gjatë, por di të vijë.

Memoriali “Heroinat” në Prishtinë, dedikuar grave të dhunuara gjatës luftës (Foto: Megan/Gravatar)

Në një intervistë për Telegrafin, Vasfija Krasniqi – (Blair) Goodman, rrëfen rrugëtimin e saj të deritanishëm në jetë, kauzën e pandalshme dhe moton me të cilën jeton…

Telegrafi: Znj. Vasfije, ju jeni një zë heroine për të gjitha gratë e mbijetuara të dhunës seksuale. Na trego pak sa ka qenë i vështirë rrugëtimi juaj deri këtu ku jeni sot?

Vasfije Krasniqi Goodman: Fillimisht, ju faleminderit për cilësimin si “zë heroine”. Rrugëtimi im ka qenë një rrugëtim aspak i zakonshëm, i mbushur me ngjarje të shumta e të ndryshme, ngjarje të cilat kanë lënë gjurmë në jetën time por edhe të familjes sime. Sikurse, ҫdo fëmijë, edhe unë dikur kam pasur jeta me plotë ëndrra derisa një ditë ajo mënyrë e jetës përfundoi, për të filluar diҫka që jo vetëm për mua, por për secilin njeri i cili goditen nga ngjarje të tilla do të thotë të jetosh nën presion, stres, traumë por mbi të gjitha me dhembje në shpirt, të vuash nga diҫka e tillë është shumë e rëndë, për të mos thënë më e rënda, se si ka qenë rrugëtimi im, mendoi se nuk kam mundësi ta përshkruaj, sepse jo, gjithçka mund të thuhet duke shkruar apo me fjalë, kjo lloj jete jetohet e nuk përshkruat assesi.

Telegrafi: Më 14 prill në Prishtinë u organizua marshi për të mbijetuarat e dhunës seksuale, ku ju ishit prijëse e saj. Cili ishte qëllimi i këtij organizimi?

Vasfije Krasniqi Goodman: Ka disa ngjarje e çështje që lidhen me këtë datë, kjo datë përveç simbolikës që ka për mua, pra që është e lidhur me jetën time, tanimë është shëndrruar në një ditë e cila përkujton vuajtjen, dhimbjen, sakrificën por edhe qëndresën e gruas shqiptare, dhe për t’i njohur këto duhet edhe të ekzistojë një ditë e veçantë e cila lidhet me ngjarjen, ka qenë QKRMT-ja e cila ka ndërtuar mendimin-propozimin që kjo datë të jetë si Data e të Mbijetuarave të dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosovë. Unë mendoj se nuk mund të shënosh një datë të tillë e të, mos marshosh për të kërkuar më shumë mbështetje në ҫdo aspekt për të mbijetuarat/it. Derisa, përmes aktiviteteve të tilla synohet që të përmirësohet gjendja e të mbijetuarave/ëve.

Vasfije Krasniqi – Goodman në Marshin e të mbijetuarëve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, 14 prill 2023 (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Telegrafi: Kur jemi te data 14 prill, e dimë që nuk është e lehtë për ju. Si e përjetoni këtë datë, e keni tejkaluar traumën?

Vasfije Krasniqi Goodman: Nëse i referohem në terma të përgjithshëm jeta ime është e ndarë në dyshë, para 14 prillit dhe pas, siҫ e thash më herët, jeta ime ka ndryshuar tërësisht, dhe jo vetëm jeta, kam ndryshuar edhe unë, lirisht mund të them se me, 14 prill ka marrë fund shumëçka nga jeta ime, atë ditë sikur një pjesë e trupit tim ka mbetur në ato shtëpi e që nuk më kthehet kurrë, dhe për këtë jam e vetëdijshme, pastaj me kalimin e kohës, duke u përballur me një mënyrë jetese kaq serioze e shoh veten se sa kam ndryshuar, për të parë ndikimin që ka pasur ngjarja ndaj meje, unë vetëm mund të kujtoj momente të bukura të jetës sime derisa kam qenë fëmijë, dhe tani momente të rënda emocionale që unë kaloi janë dy dimensione skajshmërisht të kundërta. Sa herë që vie 14 prilli, në mua ngjall emocione që kurrë dhe asnjëherë nuk do të mund t’i përshkruaj si duhet.

Telegrafi: Raste të abuzimi seksual ndaj grave kemi parë mjaft viteve të fundit. Çfarë mendoni se duhet bërë si shoqëri dhe si shtet që të ndalen këto fenomene?

Vasfije Krasniqi Goodman: Fenomeni i abuzimit seksual në Kosovë ka marrë përmasa të frikshme, duke mos u ndalur ta flas për ndonjë rast të caktuar apo të veçantë unë dua të prek fenomenin e abuzimit, i cili siҫ po duket është mjaftë prezent në shoqërinë tonë, një gjë është e sigurt, se nuk ka asnjë mjet apo mekanizëm a procedurë që arrin ta shëroi një vajzë apo grua të abuzuar seksualisht, sepse pasojat janë të rënda, pra, shteti nuk duhet parë dhunuesit-abuzuesit vetëm nga këndi-aspekti i ndjekjes penale, por duhet menduar seriozisht pasojat që ata shkaktojnë me veprimet e tyre, pra nuk është në pyetje se ata po kryejnë një vepër të caktuar penale dhe mjafton që ata të ndëshkohen sipas ligjit, por efekti dhe pasojat që shkaktohen nga veprimet e tilla kërkojë që shteti të jetë më rigoroz, ligji duhet ndryshuar, askush nuk duhet të qajë kokën për ca vite burg më shumë për dhunuesin, apo edhe për kastrimin të dhunuesit-abuzuesit. Shteti duhet të mendoi seriozisht për mënyrën e parandalimit.

Vasfije Krasniqi – Goodman (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Telegrafi: Në dhjetor prezantuan konceptin e simbolit përkujtimor të gjenocidit në Kosovë dhe adresuat kërkesë publike për zyrtarizimin e tij. Na thuaj pak çfarë ndodhi me të?

Vasfije Krasniqi Goodman: Kërkesa, që Lule Kuqja të jetë simbol i gjenocidit serb në Kosovë ka ekzistuar prej kohësh, kjo kërkesë ka ardhur nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, unë duke parë gjithëpërfshirjen dhe mënyrën se si është ideuar dhe dizajnuar kjo logo e kam vlerësuar si një nismë të domosdoshme dhe të qëlluar, dhe jam vënë në mbështetje të kësaj kërkese, sepse konsideroj se Kosova duhet të vazhdoi para me projektin për të adresuar Gjenocidin në Kosovë të aplikuar nga Serbia.

“Lulja e Kuqe” – koncepti i propozuar si simbol i gjenocidit serb në Kosovë (Foto: Adnan Asllani)

Telegrafi: Cili ishte koncepti i dizajnit të propozuar për simbolin e gjenocidit?

Vasfije Krasniqi Goodman: Pa dashur me hyrë shumë në elaborimin e idesë, dizajnit, përmbajtjes së secilit nga elementet e simbolit (një gjë të tillë e ka bërë ideatori Adnan Asllani), më lejoni të ju them se unë e kam ndjerë veten pjesë e ati koncepti, aty jam unë, është familja ime, janë gjithë ato grat dhe burra që u dhunuan dhe përdhunuan, aty janë të përfshira të gjitha kategoritë dhe format që kanë pasuar nga Gjenocidi që kreu Serbia, pra, në një simbol të tillë janë përfshirë vuajtjen tona, është ana materiale, ne vetëm duhet dhënë shpirt simbolit, duhet bërë që simboli të “flet”, dhe kur ai simbol të “flet” ai do të tregoi historië tonë të dhimbshme.

Telegrafi: Plagët e luftës janë ende të hapura për shumë shqiptarë që kanë humbur më të dashurit e tyre. Si e sheh Kosovën sot në raport me Serbinë sa i përket të kaluarës?

Vasfije Krasniqi Goodman: Për sa i përket krimeve që ka kryer Serbia në Kosovë, ajo ka mbetur pa u ndëshkuar, madje jo vetëm Serbia si shtet por edhe kriminelët nuk janë ndëshkuar, ata sot jetojnë të lirë në Serbi madje, mbajnë pozita shtetërore, e një numër i tyre jetojnë edhe në Kosovë, sikurse kriminelët në rastin tim. Kjo gjendje për viktimat është papranuar, madje edhe shumë e rëndë, unë kam kaluar në një proces gjyqësor i cili vetëm plagë dhe dhimbje më ka shkaktuar, derisa në aspektin e përgjithshëm kur ne shohim se si është rehabilituar Serbia përmes relativizimit të gjërave vërtet kjo është dekurajuese, e për më keq, ky rehabilitim nuk kontribuon në ndërtimin e paqes, as në përafrimin e ideve e mendimeve për një të ardhme të përbashkët e nxitur dhe motivuar nga paqja dhe mirëbesimi, kjo gjendje vetëm sa është duke akumuluar pakënaqësi te viktimat në Kosovë.

Telegrafi: Ju keni qenë deputete në Kuvendin e Kosovës deri në vitin 2022. Si ka qenë kjo eksperiencë për ty dhe pse vendosët të hiqni dorë nga ajo pozitë?

Vasfije Krasniqi Goodman: Më shumë se sa për mua si person, si Vasfie të qenurit deputet flet shumë për emancipimin e shoqërisë sonë, siҫ dihet për tu bërë deputete nevojiten votat e qytetarëve dhe unë, jam votuar nga gjithsej 60 885 votues (vota të vlefshme), e të cilat nëse i marrim dhe i trajtojmë nga një aspekt se sa shoqëria e jonë është në gjendje të pranoi një të mbijetuar flet shumë, dhe për mua ka një domethënie shumë pozitive, madje jo vetëm për mua por për të gjithë. Përmes këtij akti votuesit kanë treguar se janë të gatshëm të mbështesin edhe ata kandidat që deri dje nuk janë dukur askund në horizont. Derisa për mua kë përfunduar roli i deputetes (kjo për shkaqe shëndetësore, dhe më vie keq që nuk kam mundur të shtyjë diҫka konkrete në Kuvend përveç simbolikës), por ka mbetur mbështetja që populli më ka dhënë mua.

Vasfije Krasniqi – Goodman në Kuvendin e Kosovës (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Telegrafi: Cila është motoja juaj e jetës, thënia me të cilën jetoni?

Vasfije Krasniqi Goodman: Sikurse ҫdo njeri tjetër edhe unë jam në këtë botë për një mision, dhe misionin tim unë nuk e kam zgjedhur ngaqë është i lehtë për ta shtyrë tutje dhe për të arritur cakun, caku im është NDËSHKIMI I SERBISË për gjenocidin që ka kryer, dhe unë jetoi me këtë, se një ditë drejtësia për shqiptarët ka për të ardhur.

Telegrafi: Znj. Vasfije, faleminderit shumë për këtë intervistë. Për fund, cili do të ishte mesazhi yt drejtuar lexuesve të Telegrafit, në veçanti grave që kanë përjetuar diçka të ngjashme sikur ju?

Vasfije Krasniqi Goodman: Mesazhi im për ҫdo grua dhe vajzë është që të ngritin zërin për të drejtat e tyre, të mos i humbin shpresat se një ditë gjërat do të përmirësohen, sigurisht se kërkohet angazhim nga gratë, por që ky angazhim fillon nga familja, dhe në familje ato duhet gjetur mundësinë që të fitojnë përkrahjen e nevojshme. /Telegrafi/

Vasfije Krasniqi Goodman (Foto: Guillermo Legaria Schweizer/Getty Images)

Në trend

Më shumë
‘Hakmarrja’ e Izraelit ndaj Iranit - gjithçka që ndodhi në ditën kritike

‘Hakmarrja’ e Izraelit ndaj Iranit - gjithçka që ndodhi në ditën kritike

Botë
Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Lajme
Barcelona po nënshkruan mega-kontratë, ajo do t'i sjellë klubit mbi një miliard euro

Barcelona po nënshkruan mega-kontratë, ajo do t'i sjellë klubit mbi një miliard euro

La Liga
Treni në Japoni u nis me 17 minuta vonesë: Kur pasagjerët dëgjuan arsyen, askush nuk u zemërua

Treni në Japoni u nis me 17 minuta vonesë: Kur pasagjerët dëgjuan arsyen, askush nuk u zemërua

Azia
Pas ‘hakmarrjes’ së Izraelit ndaj Iranit, reagon shefi i NATO-s

Pas ‘hakmarrjes’ së Izraelit ndaj Iranit, reagon shefi i NATO-s

Azia
Von Cramon: Nëse Kosova e Serbia përfitojnë më shumë nga moszbatimi i marrëveshjeve, vështirë të bëhet diçka në Bruksel

Von Cramon: Nëse Kosova e Serbia përfitojnë më shumë nga moszbatimi i marrëveshjeve, vështirë të bëhet diçka në Bruksel

Lajme
Kalo në kategori