LAJMI I FUNDIT:

Varroset me nderime të larta polici Sami Thaqi

Varroset me nderime të larta polici Sami Thaqi

Është varrosur me nderime të larta pjesëtari i policisë, Sami Thaqi i cili u vra mbrëmë gjatë një aksioni antidrogë në Zhur të Prizrenit.

Në ceremoninë e varrimit në varrezat e fshatit Shkarashnik të Malishevës, përveç qytetarëve morën pjesë edhe një numër i madh i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, dhe figura nga skena politike në vend.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani tregoi se i ndjeri Sami Thaqi kishte shërbyer fillimisht si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e më pas në vitin 2005 iu bashkua Policisë së Kosovës si kadet i gjeneratës së 30-të.

“Duke qenë çdoherë shembull për të gjithë kolegët, i gatshëm për ti shërbyer qytetarëve dhe vendit më 28 janar ra heroikisht në krye të detyrës. Kolegu Thaqi ka lënë bashkëshorten dhe tre fëmijë, të cilët duhet të ndihen krenar për një baba dhe bashkëshort si Sami Thaqi. Ai do të jetë përherë në mendjet dhe zemrat tona”, ka thënë Kelani.

Në anën tjetër, drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj tha se sot nuk është një ditë e zakonshme, është një ditë aspak e lehtë.

“Nuk është një ditë e zakonshme dhe aspak e lehtë për ne, po ndahemi nga një kontribut dhënës për paqen dhe lirinë e Kosovës. Është e vështirë për mua që të gjej fjalë për zyrtarin policor i rënë në krye të detyrës. Është shumë e rëndë për mua ti drejtohem familjarëve e kolegëve dhe të flas për zyrtarin policior Sami Thaqin i cili ra në krye të detyrës në mbrojtje të rendit dhe ligjit”, tha Qalaj.

Qalaj shtoi se Sami Thaqi prej kur iu bashkua policisë, ishte shembull i humanitetit, i cili nuk u kursye asnjëherë për të dëshmuar përkushtimin ndaj rendit dhe ligjit .

“Ai asnjëherë nuk u zmbraps, guximi i tij i frymëzonte të gjithë kolegët”, tha Qalaj, duke shtuar se ai do të jetë përherë në zemrat dhe mendjet e tyre.

Kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj tha se Sami Thaqi është ndarë vetëm fizikisht, duke shtuar se Samiu do të jetë shembull më i mirë i dinjitetit njerëzor. /Telegrafi/