Shoqëria jonë po vazhdon të përballet me një gjendje të rëndë socio-ekonomike, e cila po përcillet me pasoja të rënda për qytetarët e vendit. Një fakt shqetësues është se varfëria po thellohet gjithnjë e më shumë sidomos në vitet e fundit, sepse kemi një rritje të kategorisë së varfërisë relative dhe varfërisë së skajshme. Faktorët kryesorë të kësaj zhytje të thellë të varfërisë të popullit kosovar janë: papunësia mungesa e të ardhurave, mungesa e kushteve elementare për jetesë, pagat dhe pensionet e ulëta, rritja e çmimeve të artikujve ushqimor etj. Papunësia është faktori kryesor i rritjes së varfërisë, dhe fakti më shqetësues është që shtimi i numrit të të papunëve është në disporporcion me numrin e atyre që punësohen. Ky është indikator se nëse vazhdojnë këto rrethana, nuk ka zhvillim ekonomik, nuk ka investime të huaja dhe ndërtime të fabrikave të mëdha, vendi ynë do të preket edhe më shumë nga varfëria, ndërsa do të rritet numri i familjeve që do t’i shtohen skemës sociale.

Edhe pse pritej që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës edhe gjendja socio-ekonomike do të shënojë progres kjo nuk ndodhi, sepse institucionet qeveritare nuk e kishin fokus primar dhe objektiv luftimin e varfërisë. Gjendja në terren dhe zhvillimet e përditshme tregojnë për rritje të varfërisë, fatkeqësisht nuk kemi statistika të sakta për përqindjen e varfërisë në Kosovë për shkak se Kosovës i mungon implementimi projektit për regjistrimin e popullsisë, pra për tu bazuar në të dhëna të sakta. Sipas disa hulumtimeve të bëra nga shumë organizata ndërkombëtare, Republika e Kosovës konsiderohet se e ka ekonominë më të varfër në Ballkan, sepse rreth 45-50 për qind e popullsisë në Kosovë jetojnë në varfëri relative (që është 1.42 euro për një person në ditë) dhe mbi 15 për qind në varfëri të skajshme, (që është 0.98 euro).


Kjo gjendje e vështirë ekonomike është shumë shqetësuese dhe duhet të jetë alarmante për institucionet e vendit. Varfëria karakterizohet me pasja të shumta dhe ka ndikime negative tek shoqëria në përgjithësi, ndërsa më të atakuar janë fëmijët dhe pleqtë. Sipas një raporti të Fondit Monetar Ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF), thuhet se një nga dy fëmijët e të gjitha komiteteve në Kosovë jetojnë në kushte të rënda sociale. Varfëria ka ndikime të shumta negative tek fëmijët, pasi që e gjymton të ardhmen e tyre, ua ndalon zhvillimin normal, shkollimin dhe në shumë procese tjera socializuese. Po të dalim në qytet qoftë nëpër rrugë, trotuare apo lokacione të ndryshme do të hasim në një numër të madh të lypsarëve, të cilët të shtyrë nga varfëria dalin për të siguruar kafshatën e gojës, apo varfëria ndikon që ata të dalin në rrugë dhe pastaj të trafikohen nga kontrabanduesit.

Duke marrë parasysh situatën e rëndë socio-ekonomike, dhe rritjen e vazhdueshme të varfërisë institucionet e Kosovës duhet që të ndërmarrin masa të shpejta për rregullimin e kësaj çështje. Ndër mënyrat më të mira për eliminimin e varfërisë është rritja e punësimit. Institucionet relevante duhet që të krijojnë kushte për zhvillim ekonomik të vendit, duke krijuar klimë të favorshme për investime. Ardhja e investimeve të huaja do të ndikonte drejtpërdrejt në uljen e numrit të papunësisë, zhvillimin ekonomik, rritjen e GDP-së, gjithashtu do të rriste edhe të hyrat në buxhetin e konsoliduar të Kosovës. Gjithashtu, duhet të bëhet më shumë për arritjen e marrëveshjeve me vendet perëndimore të zhvilluara që t’u mundësohet të rinjve të vendit tonë që të shkojnë për punë sezonale në këto vende. Bujqësia duhet të bëhet më të vërtetë prioritet mbi prioritete, sepse paraqet potencialë të madh për punësimin e të rinjve. Po ashtu duhet që të krijohen edhe strategji konkrete për përdorimin e resurseve natyrore që i ka Kosova, dhe nëse arrihet një gjë e tillë Kosova do ta rriste dinamikën e zhvillimit ekonomik.

Pra, duhet që të ketë një zhvillim më të madh të shtetit, hapjen e vendeve të reja të punës, uljen e kësaj shifre marramendëse të varfërisë, rritjen e të ardhurave, rritjen e pagave, uljen e çmimeve të konsumit dhe të gjendet mënyra sa më efikase që të jetë e mundur.

Për të ulur shkallën e varfërisë në vend dhe për të rritur mirëqenien e qytetarëve, institucionet e vendit duhet që të krijojnë strategji konkrete, pra duhet të realizohen të gjitha objektivat e cekura më lartë, sepse vetëm në këtë mënyrë do të jetë e mundur zhvillimi ekonomik i vendit dhe do të ulët shkalla e lartë e varfërisë. Fatkeqësisht rrethanat aktuale të cilat janë krijuar, nuk janë shumë premtuese se do të arrihet një zhvillim i shpejtë, duke marrë parasysh se mungojnë strategjitë për zhvillim ekonomik të cilat do ta nxjerrin vendin nga kriza ekonomike.