Përmes urës së vjetër, e ndërtuar nga Osmanët dilet lehtë në pjesë tjetër të qytetit. Ndërtesat shumëkatëshe të zënë pak frymën, ndërsa tregojnë një botë tjetër nga ajo e përtej urës. Çfarë bëjnë shqiptarët këtu?-pyeta mikun tim, duke nënkuptuar klasën politike. “Pas luftës, shqiptarët janë të dhënë pas parasë dhe qejfit me femrat”-mu përgjigj ai. Kjo nuk më gëzoi por nuk mi humbi shpresat, sepse në pjesën përtej urës vinte era Shqipëri. Kur porosisja shqip dhe po shqip merrja përgjigje, ishte një ndjesi e veçantë. Sapo e kuptonin që isha nga Tirana, një nur u vinte në fytyrën e tyre, megjithëse kishin pak pakënaqësi ndaj qeverisë shqiptare. Atëherë e kuptova se sa i shtrenjtë është atdheu, liria për ta pasur atë pa kompromis. Kjo që po bëhet sot në Maqedoni, është vetëm një “marrëveshje” nga njëra palë (maqedonasit), fundin e së cilës nuk do të sjellë politika por vetë historia, sado punohet në të kundërtën e saj.

Teksa ecnim përmes Shkupit “maqedonas” në mendje më mbetën ndërtesat e vjetra përtej Vardarit. “Kultura shqiptare po ç’rrënjoset çdo ditë”-tha midis të tjerash miku im. Po përse?-iu ktheva, nga dëshira për të ditur më shumë. “Pjesët e vjetra të kalasë shqiptare që pamë po rrënohen pak e nga pak, ndërsa ato që zbulohen nga gërmimet arkeologjike vidhen dhe u ndryshohet prejardhja nga arkeologët maqedonas,”-vijoi ai. Kjo është pjesa tjetër e luftës së madhe që shteti i Maqedonisë ka ndërmarrë ndaj shqiptarëve në përpjekje për të shuar identitetin e tyre.

E si çdo herë, politika e ditës nuk lihet jashtë, pasi kurdoherë ajo vepron me dorën e madhe dhe të rëndë të shtetit. Përshtypja përse gjysma e Shkupit ishte më e zhvilluar kishte një domethënie. Tashmë ndarja është bërë më e qartë dhe me funksionale. Qeveria maqedonase e radikalit Nikolla Gruevski pas ndarjes administrative kishte piketuar zonat ku duhej të investohej dhe ku jo. Industritë e mëdha ngrihen si gjithmonë në zonat me shumë shtetas sllavë dhe me identitet plotësisht ortodoks. Vijat tashmë janë të qarta. Kjo tregon diskriminim por edhe një ndarje de facto të Maqedonisë. E njëjta situatë ishte edhe në Kumanovë. Në atë qytet të varfër, të gjitha industritë ishin zhvendosur në pjesën tjetër, ndërsa mjerimi mbizotëronte gjithandej ku jetonin shqiptarët.

Kjo është lufta e tretë e madhe e shtetit të Maqedonisë. Një mesoburrë nga Kumanova më tha se me anë të mjerimit, njerëzit mund t’i largosh më lehtë nga feja. Këtë po bënte shteti. Të gjithë flasim me mllef ndaj Menduh Thaçit, por edhe ndaj Ali Ahmetit. Njëri si antishqiptar dhe tjetri si shërbëtor i Nikolla Gruevskit. Ligji i natalitetit ishte një tjetër protestë e madhe e shqiptarëve. Ky ligj ishte vetëm kundër nënave që flisnin shqip në Maqedoni. Këtë e kishte miratuar edhe Ali Ahmeti, që sipas tyre ishte një gabim i rëndë.

Kjo është lufta e katërt që Nikolla Gruevski dhe grupimi i tij madh i ekstremistëve maqedonas kanë ndërmarrë së fundi ndaj shqiptarëve. Të zhgënjyer tej mase, të gjithë vështronin nga Shqipëria. “Tani i ka ardhur një shans në dorë Tiranës kundër Maqedonisë, për të drejtat e shqiptarëve”,-më tha një zyrtar në Ministrinë e Kulturës në Shkup, gjatë një takimi të rastësishëm. Me këtë, ai më shpjegoi një veto të mundshme të Tiranës zyrtare kudër Shkupit ndaj anëtarësimit të tij në NATO, si kusht për të plotësuar të drejtat e shqiptarëve. Më tej, ai më shpjegoi atë që ndodh në këtë ministri. “Të gjitha kishat ndërtohen me buxhetin e qeverisë, ndërsa xhamitë jo vetëm që nuk ndërtohen por as nuk mirëmbahen ato që mbi të gjitha kanë vlera historike”, më shpjegoi i riu shqiptar, që merrej me financat në këtë ministri. Ai shtoi se edhe paratë për teatrot dhe aktivitetet kulturore shkojnë shumë pak për qytetet me shumicë shqiptare. Kjo është lufta tjetër por jo e fundit që shteti maqedonas ka ndërmarrë kundër popullsisë myslimane.

Por, a ka ardhur momenti që klasa politike shqiptare të mbajë një qëndrim të konsoliduar ndaj të drejtave të votuesve të tyre? Për shumë prej atyre që bisedova kjo është vetëm një ëndërr e keqe romantike. Ata nuk besojnë më të politikën e tyre. Shpresa e vetme për ta, mbetet Shqipëria, atdheu nënë. A ka ardhur koha që Tirana zyrtare të ndërmarrë veprimet e saj? Po! Ndërtimi i shpejtë i rrugës së “Arbrit”, do të ishte një ndihmë e madhe për shqiptarët përtej kufirit, ndërsa një presion më i madh ndaj Shkupit zyrtar, do të ishte një tjetër mënyrë.

“Protokolli” paqësor i Tiranës, duhet të “thyhet”. Kjo nuk do të thotë luftë me armë ndaj këtij vendi, por luftë diplomatike sigurisht që po. Nëse Athina ka arsye historie, më shumë fantazi se sa realitete, Tirana zyrtare ka dhjetëra arsye konkrete për të vepruar. Kjo do të interpretohej si ndërhyrje në punët e brendshme të shtetit fqinj, por nuk do të ishte kurrsesi më shumë se sa presioni i Greqisë. Tirana tashmë ka një mundësi për të vepruar, gjithmonë nëse i intereson atdhetaria. Tani është KOHA. Vardari mund të flasë edhe plotësisht shqip, por këtë do ta tregojë historia më shumë se sa politika. Ajo që duan sot shqiptarët e Maqedonisë më shumë se kurrë është një mbështetje nga Shqipëria, qoftë edhe morale kjo.