LAJMI I FUNDIT:

VAR-i poli(e)tik: Në valle dhe në përqafim me virusin

VAR-i poli(e)tik: Në valle dhe në përqafim me virusin

Me demek, deri më 20 gusht, kallni dasmat e ahengjet, duke i mbushur sallat spicë.

Edhe një javë, vazhdoni shpërndarjen dhe infektimin masiv me koronavirus. Pa çka që sot në vendin tonë i kemi hiq më pak se edhe 1,126 infektuar me koronavirus. Sipas infektologëve, pjesa më e madhe e të infektuarve janë të rinj dhe me simptoma më të rënda të virusit.


E, tani kur po i arrijmë majat e infektimit kolektiv dhe po e përfundojmë sezonin e dasmave, kanagjeqave e plazheve dhe çmalljen me mërgimtarët, të cilët na i mbushën, jo veç sheshet, restorantet e rrugët me vetura vizëllimë, por edhe xhepat, i rikthehemi mas(k)ave e distancës sociale, ndoshta edhe i lajmë duart, si dikur.

Lajmin e madh për masat e reja kundër koronavirusit doli e dha dje i pari i shëndetësisë në Kosovë. Ministri, që një javë më parë u pa duke hedhur valle në dasmë, në një ambient të mbyllur, me qindra dasmorë.

Dihet që, pas presionit të madh të gastronomëve, hotelierëve e estradës, Qeveria u dorëzua dhe lejoi, jo vetëm hapjen restoranteve, por edhe organizimin e dasmave e diskotekat, ndërsa veç sa kishte nisur procesi i vaksinimit anti-COVID.

Përnjëherë ranë të gjitha masat, ora policore, distanca sociale e bartja obligative e maskave. Sikur koronavirusi u avullua.

Krahas hapjes, formalisht u caktuan kritere e kufizime. Por, asnjë nuk u respektua. Restorantet u stërmbushën, kurse edhe muret e sallave të dasmave e diskotekave po djersiten nga gjymyshi e vallëzimi deri në delir.

E në COVID-maskemballe asnjëherë nuk munguan liderët tanë institucionale e politikë, të zgjedhurit tanë, të adhuruarit tanë.

Nejse. Ministër Arbenit i falet. Ai tani po ecën drejt kryetarllëkut në kryeqytet.

Atij tashmë i lejohet të hedh valle e të shpërndajë e marr përqafime COVID-iane, siç u lejohet edhe të politikanëve të tjerë, sepse jemi në parafushatën e lokaleve (jo të lokaleve të natës e atyre të tjerave), por të zgjedhjeve lokale.

Arbeni po i hyn një aventure të re, por prapa vetes po e lë një pasardhës, siç është dr.Haxhi Avdyli, i cili mezi po pret ta shijojë kolltukun ministror.

Pse jo. Pse mos t’i shijojë edhe ‘guximtari’ Avdyli pesë minutat e tij ministror. Pa e paragjykuar, siç e kemi zakon ne, ta lëmë edhe Haxhiun të dëshmohet edhe ai në luftimin e pandemisë, me punësimin e kapaciteteve familjare të “ekspertëve”.

Nejse. Mos ta paragjykojmë dr.Haxhiun!

Pavarësisht, menaxhimit sallamadi të gjendjes me pandemi, këta muajt e fundit, është më shumë neveritëse sesa jo etike, teksa dëgjon përfaqësues të opozitës këto ditë, qoftë në Kuvend, qoftë në media, duke akuzuar pushtetin aktual për gjendjen aktuale me koronavirus.

Në mbledhjen e fundit të Kuvendit, në ditën kur Qeveria mori vendim për aplikimin e masave të reja, pati shumë diskutime për gjendjen me virusin.

Kryedeputetja e kampit të pozitës doli i mbajti ders miletit se pse duhet të vaksinohemi, duke numëruar përplot teza konspirative, që janë plasuar kundër vaksinimit.

Nejse, maskat s’i përmendi, sepse as asaj e as kolegëve të saj deputetë, nuk po u bënte përshtypje që një ditë më parë ishin raportuar afër 1,000 raste të reja me koronavirus dhe s’po bartnin maska, hiq kryetarin e Kuvendit, nënkryetarin dhe sekretarin të ulur përballë deputetëve. Pse të bartin maska, ata i ka zgjedh populli. S’ka çka u bën as virusi.

Ndërkohë, ish ministri i shëndetësisë e kolegë të tjerë deputetë të tij nga opozita po e akuzonin qeverinë për rikthimin e virusit dhe rritjen enorme të infektuarve, duke thënë se e lamë me mbi 700 e kusur, e ju e ngritët në 888 (raporti i IKSHPK i së enjtes).

Po, pra. Kështu bëhet opozitarizmi. Pa maska. Pa pardon. Pa skrupull.

Por, po harroni bre se krejt të njëjtit jeni! Në janarin dhe shkurtin e këtij viti, kur brenda ditës kishim po ashtu qindra të infektuar e dhjetëra të vdekur nga virusi, nëpër mot të ftohët i mbushnit odat e sallat përplot qytetarë, për t’ua kërkuar votën, për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Atëherë, për të gjitha partitë, pa përjashtim, koronavirusi ishte inekzistent. Infektimet dhe vdekjet ishin veç numra. Në tubime s’ishte populli. Ishin numrat. Ishin votat në ardhje…

Prandaj, ma pak hipokrizi, ju lutem!

Nejse.

Ne njihemi si popull euforik. Shpejt nxehemi, shpejt ftohemi. S’jemi peshq, por trurin mund ta kemi të ngjashëm. Shpejt harrojmë.

Por, në këtë rast, mos harroni!

Deri më 20 gusht, pajisuni me maska, mundësisht edhe me dozën e parë të vaksinës, nëse doni të jeni pjesë e gjymyshit të dasmave e kangjeqave të munguar prej një viti.

Pastaj, kemi edhe një javë afat të çmallemi e përqafohemi me bashkatdhetarët tanë, që aq fort na munguan e ju munguam për dy vjet pothuajse.

Edhe diçka. Vlen për shacat!

Mos e harroni edhe mesazhin e liderit të LVV dhe të një deputeti të partisë në pushtet, që të regjistroheni për të votuar për zgjedhjet e 17 tetorit. Derisa lideri përmes një video mesazhi, ditë më parë i inkurajoi mërgimtarët të nxitojnë të regjistrohen për votim, deputeti doli dje në foltore të Kuvendit dhe i falënderoi publikisht me shifra për ardhjen masive në vendlindje verën e sivjetme. Për sjelljen e shumë parave dhe në fund u kërkoi shumë vota.

Kërkesë legjitime, ndaj atyre që dinë veç të japin e nuk marrin asgjë nga ky vend.

Por, prapë mos harroni! Më 20 gusht mas(k)at e reja!

Pavarësisht se sa do të shkojë numri i të infektuarve dhe të vdekurve deri më 10 shtator, sërish do të bien mas(k)at.

Kallet atmosfera, jo në dasma e kanagjeqa, por nis fushata. Beteja, kush po grumbullon ma shumë njerëz, por edhe kush po premton ma shumë e ma me stil. Normal, aty s’keni nevojë as për maska as për distancë. Sa ma afër liderit aq ma mirë. Duhet shijuar – nuhatur aromën e premtimeve të tyre. E ata aromën e votës tuaj.

Nejse!

Për fund, një digresion.

Diçka për zjarret në Shqipëri.

Zjarr e flakë deri në qiell shkaktoi lajmi për ftesën që i ka bërë Bashkia e Korçës këngëtarit kontrovers Goran Bregovic, i cili i publikisht kishte përkrahur luftërat shfarosëse të kasapit të Ballkanit, Slobodan Milosheviqit, në vitet 90’ta.

Të zjarrta ishin edhe deklaratat e kryeministrit shqiptar Edi Rama. Duke shfrytëzuar takimin me dy vajzat tona të arta nga Olimpiada e Tokios, Edi e kapi momentin për të hedh gur e dru mbi kryeministrin aktual të Kosovës dhe ish-kryeministrin Haradinaj, për mos përkrahjen e projektit të tij e Vuçiqit për Mini-Shengenin Ballkanik, së fundmi të riemërtuar në Open Balkan.

Edit, mbase mund t’iu ketë mbushur mendja që tashmë është baba i krejt shqiptarëve dhe me Vuçiqin (që gjithashtu po luan rolin e babës së krejt serbëve) mund të flasë e marr vendime në emër të tyre. Mbase tërë ky reaksion kaq i papërmbajtur i tij është sepse po e sheh rrezikun nga Albini, i cili po ashtu ka mësyrë rrugën e të qenit baba i shqiptarëve.

Prishtina e Tirana janë veç rreth 250 km larg. Edhe zjarret u shuan, s’ka rëndësi që FSK dhe zjarrfikësit nga Kosova, që u ftuan në ndihmë, arritën atje “me vonesë”, pasi ekipet emergjente të Shqipërisë i “lokalizuan” ato. Prandaj, Edi, tuneli i Kalimashit më nuk rrezikohet nga zjarret. Siç po di të organizosh takime me Vuçiqin e Zaevin, si vëllai më i madh, ftoje more në takim edhe Kurtin.

Bisedoni. Merruni vesh, cili të jetë baba, e cili kryeplaku! Populli ju do, populli ju bindet. Ia keni marrë zemrën mbi 50 për qind.

T’i shuajmë zjarret e të shërohemi nga sindroma e bajraktarizmit primitiv!

Apo ndoshta edhe gjatë do të vazhdojë të vlejë thënia e Homerit shqiptar, Gjergj Fishta “Ma kollaj asht me mbushun një thes me pleshta, sesa me i ba bashk dy shqiptarë!”.

Nejse. Për fund një lajm i mirë.

Parlamenti shkoi në pushim. Një muaj s’do të ketë shkarkime bordesh. Për arrestime nuk ka asnjë garanci.

P.S: (Pak personale!) Daja Gazmend e marton djalin më 24 gusht dhe ditën e Bajramit na solli ftesat për dasmë. Nana ia uroi dhe i tha: “Pse bre vëlla kaq vonë e paske lanë dasmën?”. Mbase ia kishte ndie zemra se Qeveria do të merrte masa të reja anti-COVID. Si një 82-vjeçare që e mbijetoi koronavirusin, po e refuzon kategorikisht vaksinimin, por tash na ka nxjerr telashe, puna e dasmës. Një lutje për ministrin  Arben: A bën me marr nanen në dasmë, pa letër të vaksinimit?! Të garantoj se ajo nuk ka takat të hyjë në valle!