Vala e të nxehtit vret 18 persona në Francë, përfshirë dy fëmijë


Kjo është e paprecedentë. Franca është përballur me një valë të jashtëzakonshme të të nxehtit për gati një javë.
Météo-France ka vendosur 54 departamente (njësi territoriale) në alarm të kuq për të martën, 23 qershor, një alarm që do të prekë rreth 39 milionë njerëz.
Të hënën, më shumë se 450 rekorde nxehtësie u thyen ose u barazuan në të gjithë vendin, duke e bërë ditën, me një temperaturë mesatare kombëtare prej 29.2 °C, më të nxehtën e tretë të regjistruar ndonjëherë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Në departamentin e Cher, temperatura madje u ngjit në 43.3 °C.
Në Paris, zhiva mund të kalojë 40 °C në mes të javës. Por kryeqyteti tashmë ka thyer rekordin e tij të temperaturës për qershorin, me 38.4 °C të regjistruar të hënën.
Qytete të tjera gjithashtu vendosën rekorde të reja, duke përfshirë Rennes (40.6 °C), Angers (40.9 °C), Saintes (42 °C) dhe Bordeaux (41.9 °C).
Një tjetër njësi ndërministrore krize do të kryesohet nga Sébastien Lecornu të martën, e dyta brenda pak ditësh.
Kjo valë e nxehtësisë, e ngjashme me atë të gushtit 2003, ka marrë tashmë disa jetë.
Të hënën, në Vaucluse, dy fëmijë u gjetën të vdekur në makinën e familjes pasi u mbyllën brenda. Një ditë më parë, tre të moshuar vdiqën në shtëpinë e tyre në Gironde.
Noti gjithashtu ka rezultuar vdekjeprurës. Gjatë fundjavës, 13 persona u mbytën në të gjithë vendin, sipas Mbrojtjes Civile. /Telegrafi/





































