LAJMI I FUNDIT:

Vaksinimi në Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë do të vijojë edhe për personat mbi 80-vjeç

Vaksinimi në Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë do të vijojë edhe për personat mbi 80-vjeç

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ishte sot në Shtëpinë e të Moshuarve, në Tiranë, ku vazhdon vaksinimi për të moshuarit e për personelin kujdestar.

Kryeministri vlerësoi faktin se “në shtëpitë e kujdesit shtetëror, ku nuk kemi pasur asnjë humbje jete siç ka ndodhur në disa vende të tjera, sepse personeli i këtyre shtëpive ka bërë një sakrificë të admirueshme, duke u mbyllur brenda bashkë me të moshuarit e duke i mbyllur derën armikut të padukshëm”.

Duke iu drejtuar infermierëve që po kryenin vaksinimin, Rama tha: “shumë mirë që i keni vënë edhe dorezat sot se janë edhe inspektorët në Facebook, si thoshte Faik Konica dembelët aktiv që nuk të lënë të punosh”.

Rama falënderoi me gjithë zemër gjithë stafet e këtyre shtëpive të të moshuarve sepse kanë ndenjur mbyllur bashkë me ta”.

“Ju kanë ruajtur ju dhe fatmirësisht nuk kemi pasur tragjedi si ato që kemi parë në Europë në Shtëpitë e të Moshuarve sepse kanë sakrifikuar në mënyrë të jashtëzakonshme gjithë stafet që janë mbyllur brenda bashkë me ju. Këtu ka qenë karantinë totale dhe është bllokuar dera për virusin. Tani me vaksinën edhe ato do të shkojnë në shtëpi, edhe ju jeni të mbrojtur”, tha Rama.

Kryeministri falënderoi personelin e Shtëpive të të Moshuarve, që “kanë bërë një sakrificë të jashtëzakonshme që kanë ndenjur mbyllur”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se vaksinimi në Shtëpitë e të Moshuarve ka nisur që dje nga Shkodra dhe tashmë do të vijojë në të gjithë Shqipërinë, si në institucionet publike edh enë ato jopublike.

“Sot jemi në Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë, ku kemi filluar vaksinimin. Janë jo vetëm të moshuarit por edhe kujdestarët dhe stafet në shtëpitë e të moshuarve në qendrat rezidenciale të cilët do të vaksinohen. Është bërë punë e lavdërueshme përgjatë një periudhe aspak të lehtë”, tha ajo.

Ministrja theksoi se “vaksinimi sapo ka filluar, është bërë një anamnezë për secilin për gjendjen shëndetësore”.

“Janë rreth 700 të moshuar, pjesa tjetër janë staf, në total rreth 1 mijë do të jenë të parët që do të vaksinohen, pastaj do të vijojmë me grupin plus 80-vjeç me ardhjen e njësive të tjera të vaksinave”, shtoi ajo. /ATSH/