Ngufati nënën, një muaj paraburgim për të dyshuarin në Restelicë – Gjykata urdhëron t’i bëhet ekzaminimi psikiatrik

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtarja e procedurës – Shpresa Emra, – ka caktuar masën e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një muaji, për të pandehurin Ferzidin Boza, për shkak të dyshimi të bazuar se ka kryer veprën penale ‘vrasje e rëndë’.
Në njoftim tutje thuhet se a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
“Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohen se është kryer vepra, brenda ambientit familjar, dhe duke marrë parasysh vendosmërinë e të pandehurit për të kryer veprën, me anë të ushtrimit të dhunës dhe ngufatjes ndaj anëtarit të familjes, andaj në këtë fazë caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.
Gjithashtu duke marrë parasysh edhe karakteristikat personale të të pandehurit, i dënuar më herët për vepra të ngjashme ku palë e dëmtuar ka qenë pikërisht viktima T.B., si dhe me qëllim të mbarëvajtjes së procedurës penale, ndaj të pandehurit do të urdhërohet ekzaminimi psikiatrik, Gjykata ka ardhur në përfundim se caktim i paraburgimit është i domosdoshëm për të siguruar prezencën e tij në procedurën hetimore e cila është në fazën fillestare”, thuhet në njoftim.
Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret caktimi i paraburgimit për të pandehurin është oportune dhe e nevojshme, për mbarëvajtjen e procedurës hetimore.
Gjithashtu Gjyqtarja e procedurës paraprake, me datë 22.01.2026, ka lëshuar urdhër për QKUK-në, Institutin e forenzikës psikiatrike të kryejë ekzaminim psikiatrik, në një kohë sa më të shpejtë që të jetë e mundur, por jo më gjatë se afati prej dy javësh nga dita e lëshimit të urdhëresës.
Dhe pas kryerjes së ekzaminimit, raporti dhe ekspertiza, ti dorëzohet Prokurorinë Themelore Prizren, dhe Gjyqtarit të procedurës paraprake. /Telegrafi/.






















































