Ushtria izraelite: Do të qëndrojmë në jug të Libanit


Ushtria izraelite ka bërë të ditur se trupat e saj do të vazhdojnë të qëndrojnë në jug të Libanit, pavarësisht armëpushimit me Hezbollahun, grupin militant të mbështetur nga Irani.
Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), Effie Defrin, deklaroi se Izraeli do të vazhdojë operacionet në këtë zonë dhe akuzoi Hezbollahun për sulme të vazhdueshme me qindra dronë shpërthyes dhe raketa ndaj civilëve dhe ushtarëve izraelitë.
“Ne do të vazhdojmë të veprojmë në jug të Libanit për të mbrojtur qytetarët tanë”, u shpreh zëdhënësi izraelit, duke nënvizuar se ushtria do të reagojë ndaj çdo kërcënimi.
Deklarata erdhi pasi ushtria izraelite njoftoi se katër ushtarë të saj u vranë dhe pesë të tjerë u plagosën pas goditjes së një droni në jug të Libanit.
Tensionet mes Izraelit dhe Hezbollahut janë rritur ndjeshëm pas përshkallëzimit të konfliktit. Sipas Izraelit, ofensiva e fundit në Liban nisi pasi Hezbollahu ndërmori sulme me raketa dhe dronë më 2 mars, pas fillimit të luftës me Iranin.
Hezbollahu, nga ana e tij, e ka lidhur përshkallëzimin e konfliktit me zhvillimet rajonale dhe ka kërkuar hakmarrje pas vrasjes së liderit suprem iranian, Ajatollahut Ali Khamenei.
Përplasjet mes Izraelit dhe Hezbollahut kanë një histori disa-dekadëshe. Grupi u krijua në vitet 1980 gjatë pushtimit izraelit të Libanit dhe që atëherë ka mbetur një nga aktorët kryesorë të konfliktit në kufirin mes dy vendeve.
Në konfliktin aktual, Izraeli ka deklaruar se qëllimi i operacioneve në jug të Libanit është krijimi i një “zone tampon” për të parandaluar sulmet me raketa dhe për të mundësuar kthimin e banorëve izraelitë në zonat veriore pranë kufirit. /Telegrafi/




































