Ushtarë italianë të KFOR-it patrullojnë kufirin në veri të Istogut

Ushtarë italianë të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, kanë kryer një patrullim përgjatë vijës kufitare në veri të komunës së Istogut, në kuadër të angazhimeve të tyre të përditshme për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë.
Në njoftimin zyrtar të publikuar në faqen e KFOR-it në Facebook, thuhet se patrullimi është realizuar nga pjesëtarët e Komandës Rajonale të Perëndimit (RC-W), e cila drejtohet nga ushtria italiane.
Kjo komandë mbulon një zonë të gjerë përfshirë komunat si Peja, Gjakova, Istogu, Deçani dhe Juniku.
“Prania në këtë fushë është thelbësore për të kontribuar në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit,” thuhet në njoftim, duke theksuar se patrullimet përgjatë vijës kufitare kanë një rëndësi të veçantë për monitorimin e situatës në terren dhe parandalimin e ndonjë tensioni të mundshëm.
Patrullime të tilla janë pjesë e strategjisë së NATO-s për të garantuar një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët, sidomos në zonat që kufizohen me territorin e Serbisë. KFOR-i bashkëpunon ngushtë me institucionet vendore të sigurisë si Policia e Kosovës dhe EULEX-i, për të koordinuar veprimet dhe shkëmbimin e informacioneve.
Aktualisht, në misionin e KFOR-it janë të përfshira mbi 4,500 trupa nga rreth 27 shtete të ndryshme, me Italinë që ka një nga kontingjentet më të mëdha.
Angazhimi i tyre konsiderohet kyç për garantimin e sigurisë në Kosovë, veçanërisht në rajonet që konsiderohen më të ndjeshme për nga situata gjeopolitike dhe ndëretnike./Telegrafi/









































