Ura e re mbi Ibër, Peci: Investim që lidh qytetin dhe qytetarët

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka bërë të ditur se sot është inauguruar ura e re për këmbësorë mbi lumin Ibër, në prani të Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe ushtruesit të detyrës së ministrit të MMPHI-së, Hysen Durimishi.
Përmes një postimi në Facebook, Peci e ka cilësuar këtë projekt si një vepër të rëndësishme infrastrukturore për qytetin, duke theksuar se ura simbolizon bashkimin dhe zhvillimin urban të Mitrovicës.
“Përfundimisht Mitrovica po merr drejtimin e duhur dhe urat që kanë mision dhe janë sinonim i bashkimit po marrin drejtimin e duhur. Kjo është realizuar falë angazhimit të kryeministrit Kurti”, ka deklaruar Peci.
Ai ka shtuar se pas luftës, Mitrovica për një kohë të gjatë nuk ka pasur vëmendjen e duhur nga institucionet qendrore, ndërsa sipas tij, në katër vjetët e gjysmë të fundit kjo qasje ka ndryshuar dukshëm.
“Fatkeqësisht, për një periudhë të gjatë Mitrovica është parë si problem i mitrovicasve. Ndërsa në këta katër vjet e gjysmë të fundit kemi pasur vëmendje të shtuar dhe konkrete nga institucionet qendrore”, është shprehur kryetari i Mitrovicës së Jugut.
Ura e re për këmbësorë pritet të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe të kontribuojë në përmirësimin e lidhjes urbane në qytet. /Telegrafi/













































