Unitedi i kthehet fitores pas tri ndeshjeve, triumfon në udhëtim te Norwichi

Manchester Unitedi ka shënuar fitore në udhëtim te Norwich City me rezultat 1-3 në ndeshjen e vlefshme për javën e dhjetë në Ligën Premier.
Djajtë e Kuq kanë arritur t'i kthehen fitores pas tri ndeshjeve pa e ditur këtë ndeshjes, pasi kanë triumfuar me lehtësi ndaj Norwichit.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të plotë të Unitedit, të cilët arritën të shënojnë edhe dy gola.
Goli i parë i ndeshjes erdhi nga Scott McTominay (21'), i cili shënoi një gol të bukur për 0-1, ndërsa Marcus Rashford (30') shënoi për 0-2.
Përveç kësaj, Unitedi në këtë pjesë humbi edhe dy penallti me anë të Rashford (28') dhe Anthony Martial (43').
Në pjesën e dytë, përsëri ishte klubi nga Old Trafford që krijoi më shumë dhe provonte golin e tretë, të cilin e gjeti, ndërsa edhe vendasit shënuan një.
Në minutën e 73-të ishte Martial, i cili shënoi për 0-3, ndërsa Onel Hernandez (88') vulosi rezultatin përfundimtar 1-3.
Pas kësaj fitore, Unitedi e sheh vetën në pozitën e shtatë me 13 pikë, ndërsa Norwichi renditet i 19-ti me shtatë pikë.
Në ndeshjen e radhës, Djajtë e Kuq udhëtojnë të Bournemouthi, teksa Norwichi udhëton te Brightoni. /Telegrafi/
https://twitter.com/Cfccomps/status/1188499529517027328





















































