United lëshon fitoren nga duart, barazon ndaj Anderlechtit (Video)

Manchester United ka lëshuar nga duart një fitore të madhe në udhëtimin e saj në Belgjikë, pasi ka pranuar gol në fund dhe ka barazuar me Anderlechtin me rezultat 1-1.
‘Djajtë e Kuq’ kanë vazhduar formën e mirë në Ligën e Evropës, por nuk kanë arritur të shënojnë fitore në ndeshjen e parë çerekfinale ndaj Anderlechtit, barazim ky që lë gjithçka të hapur për ndeshjen e radhës.
Pjesa e parë ishte më e mirë për mysafirët nga Old Trafford që arritën të rrezikojnë disa herë portën e vendasve me Zlatan Ibrahimovic (17’) dhe Jesse Lingard (18’).
Megjithatë, për të parë golin u desh të presim minutën e 37 të ndeshjes, ku armeni Henrikh Mkhitaryan shënoi nga afërsia për epërsinë prej 1-0, pas një topi të kthyer nga portieri vendas, i cili priti goditjen e Marcus Rashfordit dhe me këtë rezultat skuadrat shkuan në pushim.

Në pjesën e dytë u zhvillua ndeshje më e barabartë, me vendasit që provonin të gjenin golin e barazimit dhe me mysafirët që e menaxhonin mirë rezultatin dhe mundoheshin t’i zinin në befasi belgët.
Por, në fund të ndeshjes ishin vendasit ata që arritën të gjejnë golin e barazimit me anë të Leander Dendoncker, i cili shënoi pas asistimit të Ivan Obradovic.

Deri në fund të ndeshjes, Djajtë u munduan të rikthejnë epërsinë, por pa pasur sukses dhe ndeshja përfundoi me barazimit 1-1, duke e lënë fatin e kualifikuesit për ndeshjen e kthimit që zhvillohet në Old Trafford. /Telegrafi/
https://www.dailymotion.com/video/x5i6acj_545454nfndbfn_sport
https://www.dailymotion.com/video/x5i6i5l_leander-dendoncker-goal-hd-anderlecht-1-1-manchester-united-13-04-2017_sport


















































