UNESCO që në vitet e ‘70-ta kishte në listë objekte kulturore të Kosovës (Video)

Atëherë ish-Jugosllavia, me rastin e aplikimit, e kishte futur në listën e objekteve me vlerë, në mes tjerash, edhe Qendrën Historike të Prizrenit, për çka kishte pasuar një vizitë vlerësuese e ekspertëve nga UNESCO, për të dokumentuar gjendjen.
Gjendja e evidentuar në raportin e vitit 1976, ishte mjaft e rëndë, për çka ishin ndarë një varg detyrash, por që qëllimisht nuk ishin zbatuar, duke e nxitur kështu largimin e Qendrës Historike të Prizrenit nga lista e UNESCO-s.
Në vend të kësaj, nga autoritetet e kohës, vëmendja për restaurimin dhe ruajtjen ishte përqendruar tek objektet religjioze, si kisha e manastire ortodokse.
Edhe pas përfundimit të luftës, ekipe të UNESCO-s, kishin vazhduar ta shikonin nga afër gjendjen e objekteve të trashëgimisë kulturore.
Në mars të vitit 2003, mbi 40 lokacione ishin vizituar, për të konkluduar se ishin të pambrojtura dhe pasigurta. Megjithatë, bashkëpunimi Kosovë – UNESCO, ka vazhduar dhe ka sjellë rezultate konkrete, transmeton koha.net.
Gjejlane Hoxha, arkitekte dhe specialiste konservimi për trashëgimi kulturore, është vetë një prej kuadrove të shkolluara dhe përgatitura nga UNESCO-ja dhe institucionet e saj përcjellëse si ICCROM, derisa tani shërben si Udhëheqëse Ekzekutive në Këshillin Kombëtar për Trashëgimi Kulturore.
Ajo shprehet se Kosova ka arritur të krijojë infrastrukturë ligjore të standardeve ndërkombëtare, por se ka munguar koordinimi ndërinstitucional në ndërtimin e raporteve me UNESCO-n. E në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit për në UNESCO, pengesat janë të vazhdueshme, duke filluar me atë diplomatike.













































