Unë votoj, unë dënoj! Po ti?
Mblodha, kërkova e vodha ca guxim për t’iu qasur një çështjeje e cila u votua, por edhe nuk u votua. Fenomen i cili nuk na ra nga qielli, nuk mbiu nga toka, nuk na i dhuroi uji, nuk i shijoi populli të korrat e tij, e madje as që na i solli eteri. Element ky, patriotik i cili na erdhi nga vet ata të cilët dy gishtërinjtë e tyre janë më të vlefshëm se jeta ime, jeta jote dhe jeta e atij. Sidoqoftë, këta të cilët dy gishtërinjtë i kanë të artë gjatë vendimmarrjeve, vendime të cilët nuk kërkojnë shumë kohë për t’u realizuar, por pasojat e vendimit janë shumë të shkurtra, që vlejnë vetëm deri pas ardhjes së Azrailit. U lumtë për drejtimin e tyre vertikal.
Të gjithë flasim nëpër dhoma, nëpër rrugë e gjetiu, i qajmë hallet dhe lavdërohemi për të arriturat e pas viteve 1945-2001 (nëse kemi) biseda të cilat janë të barabarta me definimin e Sterjo Spasses rreth botës, apo më mirë thënë siç shprehet shkrimtari Irlandez W.B. Y. për popullin e vet “fjalë boshe”. Halle këto jo më pak se një det, çfarë mundemi të bëjmë nëse lakuriqi me daljen nga shpella menjëherë përdor kahjen e majtë, formulë e natyrës, nuk mundemi t’ia ndryshojmë kahun, më së paku mundemi të themi nuk na pëlqen ana e tij e fluturimit, pra lakuriqi le të vazhdojë ashtu, por edhe ne do të vazhdojmë me protestën tonë ndaj tij.
Le të dalim nga oqeani në shkretëtirë për të kërkuar një pikë ujë, ndoshta aty do ta gjejmë, nga se në oqean nuk mund të hasim në ndonjë deve. Këtë rozë nuk e kemi të dhuruar nga etnikumi oponent, por fatmirësisht nga të zgj(e)idhurit tanë, falë aktiviteteve të tyre të pandërprerë, pa fillim por me mbarim dështues. Po si mund vallë të jetë përfundimi fatal me një fillim të mbarë? Kjo është e pamundur. Desh harrova të zgj(e)idhurit të pamundurën e bëjnë të mundur. Pesimizmi është një gjeth i këputur nga lulja e tharë, e ne si popull asnjëherë nuk i kemi takuar po kësaj luleje, jo nga udhëheqja apo nga liderizmi, por nga fakti se gjithnjë kemi shpresuar se muaji i vitit do të na ndajë një ditë nga shtatë ditët e errësuara, edhe neve një ditë me dritë.
Problemi në fjalë nuk është “Alfa “ por shpresojmë (nëse së paku na ka mbetur aroma e shpresës) të jetë “Omega”. Më habit një objekt i pajetë, i cili mban emrin guri, asnjëherë nuk lëvizi vetvetiu nga shtëpiza e vet, por ai ka një veti, të cilën medoemos t’ia pranoj, ai pra është fortë si guri. Faqet e historisë na rrëfejnë se populli ynë i ka takuar elementit të dytë. Më tutje po ky popull, asnjëherë nuk i ngatërroi fjalët JO dhe PO, fjala JO gjithnjë kishte kuptimin e kundërt të fjalës PO, si dhe fjala PO mbante kuptimin opozitar të JO-së. Por ç’të bëjmë, zyrtarisht po ngatërrohen, e jo rastësisht.
Mirënjohje të veçanta i adresojmë institucionit që mban logon “ne kujdesemi për nëpunësit tanë”, nëpunës këta të cilët i edukuan e i arsimuan mbajtësit dhe vendimmarrësit në fjalë. Institucioni lëshon pëllumbat e tyre për të treguar se ndoshta nëpunësit e tyre kanë harruar se defteri i vlerësimeve duhet të jetë bilingual. Çfarë duhet të bëjnë të mjerët pasi që kanë vetëm dy zgjidhje për të dalë nga shpella me dritë përplot errësirë, të zbatojnë ligjin e të bëhen luajal ndaj “zakonit”, apo të bëhen patriotë dhe të punojnë për të paguar gjobë? Por, prapë se prapë këta tanët këshillojnë: Ju mos e zbatoni ligjin, edhe pse ne nuk deshëm t’i kundërshtohemi partnerit i cili për hatër të asaj që na zgjodhi për të vendosur ( lexo: për të mosvendosur).
Vallë sikur të dëgjonte Naim Frashëri se evidentimi e defterëve nëpër shkolla patjetër të jetë edhe në alfabetin “glagolica” me siguri se do të shprehej: O ju të mbuluar, të mbështjellur e të fshehur me materialin tim (amanet që ua lashë), material ky i ngjyrosur më ngjyrë gjaku si dhe me kontrastin e ngjyrës së borës, mos harroni se aty e kam vendosur një shpend, shpend ky i cili jo rastësisht vëzhgon krijesat tjera fluturuese deri më tetë kilometra, lartësi nëse ndodhë që ndonjë shpend i familjes së “shqipes” gjatë kuvendimit përdorë dy gishtërinjtë për të mbushur defterin në dy gjuhë, si dhuratë ai do ta bëjë me tetë gishtërinj. Ndërsa, ata që duan të fluturojnë me presh pas shpine, i kishim këshilluar të mos e provojnë një gjë të tillë, sepse së pari, mund ta shohin veten të paftuar në territore apo hapësira të huaja, së dyti, xhelozia e shpezëve mund t’i bën që t’i harrojnë edhe presh pas shpine dhe së treti, fundi i tyre do të jetë shumë dëshpërues, ashtu pra siç ishte i tillë fillimi.
Kësisoj, është mirë që të mos futeni aty ku nuk e keni vendin, edhe atë si arsyetim i dështimit total prej vendit tuaj natyral, sepse ne, qoftë edhe vonë dimë të dënojmë, ashtu siç ditëm të votojmë, dhe TI gjithmonë je NE, sepse para se unë të pyes se çka ke bërë TI për këtë vend, do e pyes së pari veten për një kontribut të tillë e pastaj të gjithë, duke krijuar kështu një mozaik brengosjesh.



































