LAJMI I FUNDIT:

“Unë mungoj në mbledhje të Kuvendit, por pagën e dua më të madhe”

Kosova është duke kaluar në një periudhë të zhvillimeve të shpejta dhe të rëndësishme për gjithë popullin e saj. Por, në të njëjtën kohë po përballet me paradokse të shumta e paqartësi në të gjitha fushat e jetës, duke vështirësuar jetën e qytetarëve të saj në një shkallë të lartë.

Vendi ynë, për fat të mirë, është i përbërë prej institucioneve shtetërore të niveleve të ndryshme, duke formuar shtetin më të ri në Botë. Institucioni më i lartë i shtetit tonë, Kuvendi i Kosovës, mesa e dimë numëron 120 deputetë, por gjatë përcjelljes së seancave, numri i tyre asnjëherë nuk arrin përafërsisht me këtë numër.


Fushatat zgjedhore çdo herë po janë aq premtuese dhe shpresëdhënëse për të gjithë popullin në Kosovë deri në momentin e përfundimit të tyre. Çdo deputet që ka zënë vend në Kuvend, me fjalët e tij ka mahnitur qytetarët e vendit, duke arritur të siguroj vota të mjaftueshme për të përfaqësuar popullin në organin më të lart ligjvënës. Por, me të përfunduar fushatat zgjedhore dhe me fillimin e punës së deputetit, po shndërrohen në njerëz tjerë, me karaktere tjera dhe me papërgjegjësi të shumta.

Një fakt brengosës për të gjithë ne, është puna që po bëhet në këtë institucion dhe zhvillimet që po ndodhin, duke zhgënjyer në një masë të madhe popullin për veprimet e tyre, e në realitet që nuk i përkasin një deputeti të një shteti normal. Përgjegjësitë e tyre janë aq të larta ndaj votuesve të tyre dhe popullit në përgjithësi, sa që do të duhej të ishin shumë fish më të angazhuar në punën e tyre, duke arsyetuar votën e fituar nga populli. Për fat të keq, vetëm një numër i caktuar i deputetëve, kanë angazhim të merituar, duke dhënë kontributin e tyre në detyrat që i shtrohen Kuvendit dhe atyre personalisht. Por, është për të ardhur keq për një pjesë tjetër, që nuk meritojnë të përfaqësojnë vendin, duke qenë shumë të heshtur dhe të papunë në detyrën e tyre.

Në mesin e shumë pakënaqësive që janë shfaqur dhe po shfaqen lidhur me punën e Kuvendit të Kosovës, janë edhe kërkesat e vazhdueshme të deputetëve, që t’u rriten pagat edhe më shumë. Vërtet është mjerim të kërkohet një gjë e tillë nga kjo kategori, pasi që as këto paga që i marrin nuk i arsyetojnë, në përjashtim të disave, duke pasur parasysh punën që kryejnë gjatë një mandati të tyre si deputet. Po ashtu, kërkojnë edhe kushte tjera më të mira të punës, duke harruar që pjesa më e madhe e popullit në Kosovë po jeton në një gjendje të vështirë materiale dhe me një mesatare shumë të ulët të standardit jetësor.

Është fyese një kërkesë e tillë e tyre, duke ia bashkangjitur edhe faktin për mungesat e tyre të shumta e të paarsyeshme gjatë seancave. Janë mësuar që vetëm ata të jetojnë dhe pjesa tjetër të vuajnë për kafshatë të bukës. Ky fakt duhet t’i brengos së pari vet këta deputet, por ata jo vetëm që nuk i brengos, por kërkojnë që edhe më shumë të rrisin standardin e tyre jetësor. Shtrohet pyetja; a janë deputetët të zgjedhurit e popullit për të punuar për këtë popull, apo për të kërkuar një standard më të lartë jetësor për veten dhe familjet e tyre? Për fat të keq, këtë pyetje më së miri e kuptojnë këta deputet, por një gjë e tillë nuk u shkon përshtati dhe detyra e vetme e tyre ka mbetur që të mungojnë nëpër seanca parlamentare dhe të kërkojnë rritjen e pagave të tyre.

Duhet populli që të jetë më i zëshëm dhe të mos lejoj veprime të tilla, duke dëmtuar në një shkallë të lartë shtresën e popullit. Dhe, deputetët duhet t’i thërrasin mendjes së tyre për të ndryshuar në këtë drejtim, duke qenë më të përgjegjshëm në vijueshmërinë e tyre në seanca parlamentare dhe të mos bëjnë kërkesa aq të ultë për rritje pagash.

(Autori është student në Master)