19 pacientë kanë kërkuar ndihmë në repartin e infektologjisë dhe 14 në pediatrinë në Gostivar me simptoma të dhimbjes së barkut, diarresë si dhe plogështi në trup. Të njëjtët, pas ekzaminimit, janë lëshuar për mjekim shtëpiak, ndërsa dy raste me simptoma më të rënda janë shtuar në spital. Drejtori i spitalit, Emri Bajrami, për TV21 tha se këto shifra janë krejtësisht normale për këtë stinë dhe nuk kanë të bëjnë me ndonjë virus apo diçka të ngjashme.

“Brenda 24 orëve të fundit, në repartin e infektologjisë kanë kërkuar ndihmë mjekësore vetëm 11 pacientë, ndërsa në repartin e pediatrisë kanë kërkuar ndihmë vetëm 14 pacientë. Domethënë, kemi një rënie mjaft të dukshme të numrit të pacientëve.


Ndërkohë, në repartin e infektivologjisë kemi vetëm dy raste të hospitalizuara, me simptoma të lehta. Ata do të qëndrojnë aty dy deri në tre ditë dhe më pas do të lëshohen për në shtëpi”, tha Emri Bajrami – drejtor i Spitalit të Gostivarit.

Por përse ndodh që edhe përkundër deklaratave se uji mund të përdoret për pastrim si dhe alarmeve për të mos e konsumuar atë, të ketë ende raste të prekura nga uji i ndotur në Gostivar? Drejtori Bajrami thotë se kjo mund të lidhet edhe me viruset stinorë.
“Kjo tani mund të lidhet edhe me virozat sezonale, pasi edhe në vitet e tjera ka pasur raste të tilla. Megjithatë, bilanci nuk është më i lartë se në vitet e kaluara”, shtoi Emri Bajrami – drejtor i Spitalit të Gostivarit.

Edhe përkundër rënies së numrit të të prekurve nga uji i ndotur në Gostivar dhe stabilizimit të situatës, gjendja e krizës vazhdon ende. Po ashtu vazhdon edhe marrja e përditshme e mostrave të ujit, deri në daljen negative të përmbajtjes së baktereve në tre kontrolle rresht, pas së cilës pritet të jepet leja për konsumimin e ujit. /tv21