Një sulm me dronë ukrainas ka dëmtuar herët më 1 shtator portin strategjik rus të Ust-Lugës, në rajonin e Leningradit, sipas guvernatorit rajonal Alexander Drozdenko.

Ust-Luga është një nga portet më të mëdha dhe më të rëndësishme të Rusisë në Detin Baltik dhe një pikë kyçe për eksportin e naftës së papërpunuar dhe produkteve të saj.


Autoritetet ruse pretendojnë se gjatë sulmit janë rrëzuar 38 dronë ukrainas mbi rajonin e Leningradit, ndërsa 17 prej tyre u interceptuan në zonën e portit të Ust-Lugës.

Pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale duket se tregojnë zjarr në zonën e portit, ndërsa përmasat e dëmeve nuk janë bërë ende të qarta.

Ky nuk është sulmi i parë ndaj Ust-Lugës. Porti është goditur disa herë gjatë muajve të fundit, në kuadër të fushatës së Ukrainës për të goditur infrastrukturën energjetike dhe industrinë ruse të naftës.

Vetëm më 14 gusht, një sulm i raportuar ndaj kompleksit shkaktoi zjarr dhe dëmtoi dy impiante përpunimi, transmeton Telegrafi.

Kievi po intensifikon gjithnjë e më shumë sulmet në thellësi të territorit rus, duke synuar depo nafte, rafineri dhe objekte të tjera strategjike.

Qëllimi është të goditet një nga burimet kryesore të të ardhurave të Moskës dhe njëkohësisht të krijohen probleme në furnizimin e brendshëm me karburant.

Porti i Ust-Lugës ka rëndësi të veçantë për Kremlinin, pasi dëmtimi i operacioneve të tij mund të prekë drejtpërdrejt eksportet ruse të energjisë dhe të ardhurat e shtetit. /Telegrafi/