LAJMI I FUNDIT:

Ukraina, një shans për Perëndimin

Ukraina, një shans për Perëndimin
Ilustrim

Redi Shehu

Pak veta ishin të bindur se lufta mes Rusisë dhe Ukrainës do të fillonte vërtet. Shembujt të cilët na vijnë nga e shkuara e afërt lidhur me Rusinë e re, tregonin se, për gjeopolitikën e Putin, Perëndimi përbënte një kundërshtar konstant dhe jo një partner paqeje.


Në optikën e tij Rusia si mision të vetin themelor për t’iu kthyer lavdisë së dikurshme të saj, do të duhej të kishte minimin e rendit liberal, si rendin dominant në botën e sotme, të udhëhequr nga ShBA-të. Për këtë, atij i duhej të prishte arkitekturën e këtij rendi, duke dëmtuar kolonat kryesore të tij që janë institucionet ndërkombëtare si OKB, NATO dhe BE.

Por, ndryshe nga çfarë po ndodh sot, gjeopolitika ruse deri tani, pati ndjekur me besnikëri doktrinën e gjeneralit veteran të ushtrisë ruse, Valeri Gerasimov, e cila përmblidhej në një metodologji të re e cila fshin kufijtë që ekzistojnë mes luftës dhe paqes duke angazhuar teknologjitë e reja, të cilat të lejojnë që lufta të dalë nga formati tradicional drejt një metode të re gjithëpërfshirëse të elementeve politike, ekonomike, mediatike dhe humanitare të saj. Me pak fjalë, në tërë këto dimensione, sipas Gerasimovit, lufta mund të nisë dhe mund të mbarojë pa u deklaruar kurrë si e tillë. Mjafton të kujtojmë ndërhyrjet direkte ruse në politikat evropiane – Brexit, në Austri, dhe më tej në zgjedhjet presidenciale në ShBA. Mjafton të kemi parasysh luftën ekonomike energjetike të Rusisë ndaj Evropës dhe pjesës tjetër të rajonit, po ashtu fushatat mediatike dhe informative ruse ndaj shteteve të tëra perëndimore.

Gerasimov, mendonte se forcat speciale do të duhej të ndërhynin vetëm pjesërisht në ato zona për të “shpëtuar” nga ana humanitare rajone të shtypura si Abkhazia Jugore dhe Osetia, Krimea apo edhe rajonin e Donbasit. Me të njëjtën doktrinë të Gerasimovit, ushtria ruse veproi në Siri dhe Libi duke alternuar teknologjitë me ndërhyrje të kufizuara “humanitare” nga toka për të mbajtur në këmbë diktatorë si Asadi dhe Haftari.

Nisur nga kjo metodologji, ishte e vështirë të besohej se Rusia, edhe pse kishte rreshtuar pothuaj dyqind mijë ushtarë në kufi me Ukrainën, do të dilte nga doktrina efikase Gerasimov drejt një lufte frontale me bazë të gjerë. Por, tashmë kjo gjë ka ndodhur. Lufta ka filluar. Rusia ka braktisur doktrinën e vjetër, duke rrëshqitur drejt doktrinës së re të Putin në marrëdhëniet ndërkombëtare, që sipas Sergei Karaganovit, kreut të Këshillit për Politikat e Jashtme dhe të Mbrojtjes të Rusisë, thotë se Rusia e Putin ka hyrë në një epokë të re në politikat e jashtme, atë të “shkatërrimit konstruktiv” të marrëdhënieve të mëparshme me Perëndimin me qëllim që ta zbresin ShBA-në nga një lider global në një “partner të arsyeshëm”.

Ultimatumi i Rusisë ndaj ShBA-së dhe NATO-s në fund të vitit të shkuar, për të ndaluar infrastrukturën ushtarake të tyre në kufijtë e Rusisë, shënoi edhe fillimin e epokës së “shkatërrimit konstruktiv” të marrëdhënieve të vjetra me Perëndimin dhe ndërtimin e një marrëdhënieje totalisht të re me një Rusi të re tashmë; për të shkatërruar të vjetrën mes Perëndimit dhe Rusisë, dhe për të konstruktuar një sistem të ri ndërkombëtar të sigurisë, i cili tashmë nuk duhet të jetë nën dominimin vetëm të ShBA-së.

Ukraina, në këtë rast, përbën edhe vijën e kuqe nga ku nis edhe kjo doktrinë e re, por në të njëjtën kohë, Ukraina sot përfaqëson edhe barrikadën e rendit të sotëm liberal ndaj përpjekjeve ruse për ta ndryshuar atë dhe për ta kthyer botën nga një sistem unipolar, në të cilin ajo ndodhej në një sistem bipolar apo multipolar nëse kemi parasysh edhe Kinën. Ndërkohë që rendi i liberal i demokracive, vihet në rrezik nga kërcënimi i “shkatërrimit konstruktiv” rus i cili qëllim final ka të ndryshojë esencën e tij, Ukraina merr një rëndësi të veçantë, sepse ajo nuk përfaqëson thjesht një shtet në luftë por, tashmë ajo përfaqëson provën historike nëse rendi liberal i sotëm ka akoma fuqinë të dalë përtej vetes.

Vladimir Putin nuk besoj se është thjesht një njeri i çekuilibruar; ai dhe shpura e tij kanë një trashëgimi shekullore në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në njohjen e balancave të fuqive. Ai vetëm ka pritur gjithë këto vite duke përllogaritur milimetër për milimetër të çarat e rendit liberal, ka investuar përmes doktrinës Gerasimov në çdo fushë që t’i thellojë këto të çara sa më shumë dhe ka pritur që Perëndimi të vijë deri tek vija e tij e kuqe që është Ukraina për të ndryshuar strategji dhe për tu hedhur në sulm. Me një fitore të mundshme në Ukrainë, Putin me karta të reja në dorë do ta detyronte Perëndimin të ulej në tryezën botërore të sigurisë me ndjesinë e fitores që do i jepte “shkatërrimi konstruktiv”, për të rikonfiguruar botën drejt një rendi të ri tashmë. Por, me sa duket deri më tani, ai që i ka bërë gabim llogaritë është vetë Putin.

Jo çdo e keqe vjen vetëm për keq. Jo çdo luftë është fatkeqësi. Lufta në Ukrainë është shansi i artë që i ka ngelur Perëndimit për të treguar fuqinë dhe efikasitetin e mekanizmit të tij gjigant. Në fakt, Perëndimit i duhej një konflikt i tillë, për ta shpëtuar atë nga përçarja dhe degradimi, ashtu siç edhe Putinit i duhej kjo luftë për të shpëtuar veten nga inferioriteti. Mobilizimi i të gjitha shteteve brenda aleancës së vlerave liberal demokratike, po tregon se “shkatërrimi konstruktiv” rus mund të kthehet në një “konstruksion shkatërrues” për Putin dhe vetë shoqërinë ruse të marrë peng prej tij.

E gjithë kjo situatë, nëse arrin të lexohet ashtu siç duhet nga rendi i sotëm liberal, mund të shërbejë si moment nga i cili do të mund të shërojë simptomat e degradimit të tij. Këto simptoma janë evidentuar aq qartë nga John Mearsheimer në “Harvard Kenedy School”, i cili i rendit duke filluar nga mania absurde e këtij rendi për të ndërhyrë deri në detajet e politikave të vendeve të tjera, më pas te gabimi me vendet aleate të demokracive liberale, duke u përplasur me identitetet nacionale të tyre, si dhe me hiperglobalizimin si promotor i pabarazive të mëdha sociale në botë.

Vërtetë, Ukraina mund të shërbejë si një moment historik që rendi i sotëm të mund ta rimodelojë mënyrën se si sillet me aleatët e vet si dhe me vendet e tjera që aspirojnë të njëjtin qëllim, duke treguar më shumë respekt për identitetet kombëtare, traditat si dhe sovranitetin e vendeve të tjera, larg arrogancës ideologjike, por duke i dhënë hapësirë më të madhe një aleance më të gjerë dhe shumëngjyrëshe. Kështu, nuk do të mund të kërcënohej si nga përçarja e brendshme, ashtu edhe nga sulmet e jashtme.