LAJMI I FUNDIT:

Ukraina duhet të negociojë nga pozicioni i fuqisë, por vëmendja e botës po zbehet

Ukraina duhet të negociojë nga pozicioni i fuqisë, por vëmendja e botës po zbehet
Ilustrimi nga: Steven Gregor / The Observer

Nga: Peter Pomerantsev / The Guardian
Përktheu: Agron Shala

Rusia duhet të ndalojë së qeni kërcënim: për fqinjët e saj, për njerëzit e saj, për botën. Minimizimi i këtij kërcënimi duhet të jetë qëllimi i politikave tona dhe e vetmja mënyrë për t’u përballur me realitetin e vulës së çizmeve të Kremlinit nëpër kaq shumë fytyra. Përsëritja aktuale e Rusisë e ka humbur shpresën se shtetet tjera kanë të drejtat e veta. Rusia e Putinit nuk është vend i zakonshëm që kërkon garanci racionale të sigurisë. Është grabitqare që punon sipas logjikës së shtypjes së brendshme dhe të agresionit të jashtëm. Me shtetin e tillë nuk ka kthim në “normalitet”. S’ka “marrëveshje” të mençur që mund t’i ndërpres dhe rivendos marrëdhëniet e mëparshme.


Teksa punojmë në atë se çfarë në praktikë do të thotë minimizimi i kërcënimit të Rusisë, mund të arrijmë në diçka më të madhe: një grup ndërlidhjesh sigurie, humanitare dhe ekonomike që ripërcaktojnë mënyrën se si e reduktojmë agresionin në një epokë të ndërthurur. Me pushtimin e Ukrainës, qëllimi i Rusisë ishte të rivendoste rendin botëror, ta anonte atë drejt diktaturave, mosndëshkimit dhe të drejtës së fuqive të mëdha për t’i shtypur të vegjlit. Në vend të kësaj, mund të shkaktojë dëshirën për t’i forcuar të drejtat, sovranitetin dhe demokracinë. Duke nxitur më të keqen, mund të dalë diçka më e mirë.

Vendi i parë ku kërcënimi i Rusisë duhet të minimizohet është vetë Ukraina. Kjo do të arrihet në fushën e betejës. Ukraina është ende shumë e madhe, si në meshkuj ashtu edhe në armë. Situata në Donbas është e dobët. Çdo ditë vriten rreth 100 ushtarë ukrainas. Dhe, nuk janë më ata luftëtarë profesionistë e të fortë – janë specialistë të IT-së, sociologë, studentë.

Kur disa javë më parë e takova Presidentin Zelenskiy, së bashku me kolegët nga revista “Atlantic”, frika e tij më e madhe ishte se fitorja në betejën për Kievin do të thoshte se shumë njerëz do të mendonin se lufta ka mbaruar mu në kohën kur ajo thjesht po kalonte në një tjetër fazë, shumë më vdekjeprurëse në Donbas. Vëmendja e botës është zbehur. Aleatët janë të ngadaltë për ta armatosur si duhet Ukrainën. Pozicionet po lëshohen çdo ditë për shkak të mungesës së municioneve bazike për artileri. Kjo duhet shpejt të ndryshojë. Çdo negociatë eventuale duhet të merret nga pozicioni i fuqisë, jo i dobësisë së Ukrainës, ose përndryshe rrezikojnë të jenë pjesë e marrëveshjes tjetër që heq gjithë levën ndaj Rusisë, vetëm duke e shtuar kjo kërcënimin që paraqet.

Nëse dhe kur ato negociata ndodhin, Ukraina duhet të armatoset deri në dhëmbë për t’i penguar inkursionet e ardhshme ruse. Ajo gjithashtu shpreson të ketë garanca sigurie, përfshirë ato nga Mbretëria e Bashkuar. Por, këtu ka një kontekst më të madh. Pushtimi rus është i rëndësishëm për çdo komb që jeton i pambrojtur, në fqinjësi të ngacmuesve bërthamorë: mendoni për Moldavinë, Gjeorgjinë dhe shtetet e Azisë Qendrore përreth Rusisë; Japoninë, Australinë dhe Tajvanin rreth Kinës. Nuk është rastësi që Australia, një vend që mund të kishte zgjedhur të shmangej nga ky konflikt, ka qenë avokate kaq e flaktë e kauzës ukrainase, madje duke ofruar pajisje mbrojtëse në vlerë prej 70 milionë dollarëve.

Si mund t’i mbroni këto vende nga agresioni, kur dihet se nuk janë anëtare të NATO-s dhe kur dihet statusi bërthamor i atyre që kërcënojnë? Mbështetja ad hoc për Ukrainën na jep një zgjidhje: përzierja e luftës ekonomike dhe sigurimit të armëve. Por, për të vepruar si pengesa ndaj këtij kërcënimi, kjo duhet të jetë e qartë dhe të koordinohet përpara çdo pushtimi. Rusia e sulmoi Ukrainën në vitin 2022, sepse, pas pushtimit të saj në vitin 2014, Putini mendoi se mund t’ia dalte mbanë. Momenti i fillimit të sanksioneve nuk duhet të jetë temë debati: lufta kundër agresioni duhet të nxisë masa të ashpra.

Për më tepër, duhet t’i lidhim krimet kundër njerëzimit me sanksionet edhe më agresive. Bombardimi pa dallim i Mariupolit ose masakrat në Buça duhet të na shpijnë në embargo të naftës. Duhet t’i rilidhim normat humanitare me ekonominë.

Deri tash, dinamika e fuqisë ekonomike po qëndron në anën tjetër. Për momentin, shteti si Australia, që kritikoi dosjet e Pekinit për të drejtat e njeriut, ngacmohet nga Kina me sanksionet për grurin. Rusia e mban botën peng me uri, duke i kufizuar eksportet e saj të drithit dhe duke e bllokuar Ukrainën, duke kërkuar që të hiqen sanksionet. Në Evropën Qendrore po shfaqet përllogaritja e tmerrshme: cilat rritje të çmimit të gazit janë të gatshëm t’i përballojnë njerëzit, përpara se t’i mbyllin sytë ndaj krimeve të Putinit kundër njerëzimit? Kudo të drejtat e njeriut i nënshtrohen nevojave ekonomike. Që ne ta frenojmë agresionin e Rusisë dhe të Kinës ndaj kësaj bote, duhet të ndodhë e kundërta.

Teksa masat e tilla mund të veprojnë si pengesë, përpara se të pushojë së qeni kërcënim Rusia gjithashtu do të duhet të ndryshojë nga brenda. A mund të shpresojmë ndonjëherë për një Rusi që është gati të heq dorë nga pretendimet perandorake, të jetojë në harmoni me fqinjët e saj dhe madje të vendosë sundimin e ligjit në vend? Duket ëndërr e largët. Janë marrëzi të gjitha bisedat për “ndryshimin e regjimit”: Rusia është fuqi e madhe ku askush nuk mund të ndikojë apo ta sulmojë atë pa iu trembur syri. Por, ajo që mund të bëjmë është të qëndrojmë të palëkundur në sanksionet dhe angazhimin tonë për t’i paditur kriminelët e luftës, duke u treguar elitave ruse se dënimi i tyre është i gjatë dhe i rëndë. Një hulumtim i bazuar në fjalët përbrenda vendit, sugjeron se shumica mendojnë se sanksionet do të hiqen së shpejti. Kjo na shfaq një dobësi të madhe. Në kujtimet e tij për jetën në kampet naziste të përqendrimit, psikiatri Viktor Frankl vuri në dukje se ata që mendonin se burgimi i tyre do të përfundonte së shpejti, ata po e mohonin realitetin – dhe, ishin të parët që më pas thyheshin dhe dërrmoheshin.

Kush do ta komunikojë këtë? Aktualisht ne nuk po e shpjegojmë qëllimin e sanksioneve për popullin rus, duke ia lejuar Kremlinit menaxhimin e perceptimeve. Nuk është e vështirë ta tërheqësh vëmendjen e rusëve. Një video e shkurtër nga Arnold Schwarzeneggeri drejtuar adhuruesve rusë, ku e dënonte luftën, ka marrë miliona shikime. Është i dobët Firewall-i rus i internetit: ende mund ta përdorin radion, WhatsApp-in, Telegram-in dhe YouTube-in. Sa më shumë ta kuptojnë atje se Kremlini i ka çuar njerëzit e vet në një rrugën pa krye, se kjo gjë është e përhershme, aq më shumë ka shtysa që elitat ta ndryshojnë qasjen e vendit. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
“Salah është lojtari më egoist që kam parë ndonjëherë”, legjenda e Liverpoolit godet egjiptianin

“Salah është lojtari më egoist që kam parë ndonjëherë”, legjenda e Liverpoolit godet egjiptianin

Premier League
A po shkojnë Ukraina dhe Rusia drejt bisedimeve?

A po shkojnë Ukraina dhe Rusia drejt bisedimeve?

Botë
Banorët shohin natën e parë të BBVA 3, Juli shpërthen në lot kur pa të atin: Para se të vdiste, ai më tha mos e tradhto Julin e vërtetë

Banorët shohin natën e parë të BBVA 3, Juli shpërthen në lot kur pa të atin: Para se të vdiste, ai më tha mos e tradhto Julin e vërtetë

Magazina
Ten Hag zbulon emrin e superyllit që Man Utd nuk arriti ta nënshkruajë në verë

Ten Hag zbulon emrin e superyllit që Man Utd nuk arriti ta nënshkruajë në verë

Premier League
Gjilan, një person refuzon të ndalet para policisë - polici përmes xhamit ia merr çelësat dhe fikë veturën e tij

Gjilan, një person refuzon të ndalet para policisë - polici përmes xhamit ia merr çelësat dhe fikë veturën e tij

Kronika e Zezë

"Je surpriza e këtij Big Brother" - Meriton Mjekiqi emocionohet nga mesazhi që merr në 'Big Love'

Magazina
Kalo në kategori